Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ka njoftuar se ai ka pritur në takim në selinë e re të MKRS-së në Prizren, regjisorin e njohur, Samir Karahoda.
Ministri Gashi me autorin Karahodaj dhe producentin Bilibani, bisedoi në lidhje me pjesëmarrjen e Kosovës në Festivalin e Filmit në Berlin, dhe e konsideruan se ky është prezantim më i mirë i shtetit të Kosovës, ku përmes artit filmik prezantohet jo vetëm kultura e vendit por edhe realiteti në të cilin jeton shoqëria në Republikën e Kosovës.
“Është një arritje dhe sukses i jashtëzakonshëm i Kosovës që të marrë pjesë me një projekt filmik në një festival prestigjioz siç është ‘Berlinale’ dhe si MKRS jemi shumë të lumtur që kemi përkrahur këtë film i cili do të na përfaqësojë si Kosovë dhe uroj që mos të kthehemi pa ndonjë çmim nga Gjermania”, tha mes tjerash ministri Kujtim Gashi.
Ministri tha se MKRS-ja ka rritur ndjeshëm buxhetin për Qendrën Kinematografike të Kosovës i cili është institucioni kryesor në vendin tonë i cili përkrah prodhimin e filmit në Kosovë. “Me pjesëmarrjen e filmave që janë krijim dhe prodhim i Kosovës nëpër festivalet më prestigjioze në botë, fakton se artistët nga Kosova kanë potencial dhe tashmë është ndërtuar një traditë cilësore në fushën e filmit tek ne”, shtoi tutje ministri.
Ministri Gashi i njoftoi mysafirët se përkrahja për projektet kulturore është rritur dhe tani MKRS ndodhet në procesin e vlerësimit të projekteve për këtë vit dhe shumë shpejtë do të bëhen publike rezultatet. E në kuadër të kësaj, MKRS-ja, çdo vit ka mbështetur financiarisht Dokufestin si një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore jo vetëm në vend por edhe në rajon, u shpreh ministri.
Ndërkaq, autori i filmit, Samir Karahodaj shprehi falenderim për mbështetjen të cilin i ka ofruar ministri Gashi në projektin e tij, duke theksuar se ndjehet tepër i lumtur që Kosova përmes filmit të tij do të përfaqësohet për herë të parë në garën ndërkombëtare të filmave shkurtë “ Berlinanle Shorts”. “Përzemërsisht dua të falënderoj secilën protagonist pa të cilët ky film nuk do bëhej i mundur”, u shpreh Karahodaj.