Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emannuel Macron arritën një marrëveshje për të caktuar një buxhet për zonën e euros, me qëllim që të rritet konkurrenca ekonomike.
Gjithsesi konservatorët gjermanë reaguan ashpër ndaj këtij akordi, të cilin thanë se nuk do ta mbështesnin pasi nuk ishin informuar në kohën e duhur dhe se dinin shumë pak rreth tij.
Por, pasditen e të mërkurës ka qenë ministri i Financave në Gjermani, Olaf Scholz, që doli në favor të kësaj marrëveshjeje, duke e cilësuar si të duhurën për t’u bërë në këto momente.
“Ne aktualisht jemi një udhëkryq dhe me këtë marrëveshje, palët vendosin të zbresin në rrugën që quhet Bashkimi Europian”, deklaroi Scholz.
Ai mbështeti gjithashtu një propozim për të krijuar një sistem të sigurimit të papunësisë në mbarë Evropën, duke thënë se kjo do të bënte eurozonën më të qëndrueshme ndaj goditjeve ekonomike.