Ministri gjerman mesazh Shqipërisë për Kosovën, i kërkon të mbajë qëndrim kundër ndryshimeve të kufijve

Prishtinë | 07 Shk 2019 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Sekretari shtetëror për Çështje Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth ka thënë se integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për Gjermaninë.

“Përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të kaluarën. Prandaj, sipas meje, këto përsiatje, jo vetëm që nuk premtojnë shumë sukses, por janë edhe tejet të rrezikshme. Çfarë na nevojitet, është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila i rregullon përfundimisht marrëdhëniet, i mundëson Serbisë dhe Kosovës të anëtarësohen në BE dhe i zgjidh me marrëveshje të gjitha çështjet teknike që janë ende të hapura”, ka thënë ndër tjerash Roth për DW.

Në këtë drejtim, ai ka shtuar se nga Shqipëria presin që kjo ta përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në të gjithë rajonin.

“Kjo vlen veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas tij, mund të jetë vetëm në interes të Shqipërisë, si pjesë e rajonit, që të parandalojë me çdo kusht një destabilizim të ri të Ballkanit Perëndimor, gjë që detyrimisht do të vijonte nga ndryshimi i kufijve.

Në këtë drejtim, Roth është pyetur rreth asaj se ndonëse Gjermania është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, SHBA dhe Komisioni i BE-së nuk janë kundër.

Lidhur me këtë, Roth ka thënë: “Është e vërtetë se ka qëndrime të ndryshme në lidhje me ndryshimet kufitare. Qëndrimi ynë është se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta rrisë stabilitetin në të dyja vendet dhe në rajon. Unë nuk shoh se si mund të arrihet kjo me ndryshime kufijsh. Përkundrazi, Ballkani Perëndimor nuk do të binte në qetësi. Nga vendet fqinje dëgjoj vazhdimisht se ata janë të shqetësuar për këtë diskutim, sepse shohin rrezikun e efektit të dominosë. Për proceset e anëtarësimit në BE kjo me siguri që nuk do të ishte aspak e dobishme”. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme