Ministri Hamza pret në takim Bordin e Drejtorëve të BERZH-it

Prishtinë | 04 Shk 2019 | 11:32 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur në takim delegacionin e Bordit të Drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të udhëhequr nga Drejtori i Konstituencës së Holandës, Kinës, Mongolisë, Maqedonisë dhe Armenisë Frans Weekers, dhe Drejtori i Bordit për Irlandën, Danimarkën, Lituaninë dhe Kosovën Patrick Walsh. Anëtarët e Bordit të pranishëm në këtë takim në mesin e tyre përfaqësuan 32 vende të botës.

Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it, me theks të veçantë në thellimin e këtij bashkëpunimi për sektorin publik dhe privat.

Me këtë rast, ministri Bedri Hamza falënderoi Bordin për zhvillimin e një vizite të tillë që ka mundësuar diskutimin strategjik për bashkëpunimin e Kosovës dhe BERZH-it.

“BERZH-i mbetet partner strategjik i Kosovës, drejt adresimit të nevojave për investime në sektorin publik dhe fuqizim të mëtutjeshëm të sektorit privat si bartës i zhvillimit ekonomik”, shtoi Ministri Hamza.

Drejtorët e Bordit të BERZH-it, nga ana e tyre, konfirmuan gatishmërinë e këtij institucioni ndërkombëtar të vazhdojë përkrahjen e ekonomisë së Kosovës dhe punës së qeverisë ndaj reformave për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Delegacioni i Bordit të Drejtorëve të BERZH-it po qëndron në Kosovë për vizitë dy-ditore, si pjesë e vizitave të rregullta, të cilat Bordi i realizon çdo pesë vite në shtete ku operon kjo bankë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme