45 pjesëtarë të FSK-së janë duke marrë pjesë në ushtrimin e përbashkët fushor “Immediate Response – 19” (Përgjigja e Menjëhershme -19) në Kroaci bashkë me shtetet e NATO-së dhe shtetet partnere
Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ka treguar më shumë detaje lidhur me pjesëmarrjen e pjesëtarëve të FSK-së në këtë ushtrim të përbashkët.
“45 pjesëtarë të FSK-së janë në një ushtrim të përbashkët në Kroaci. Kroacia për ne është shtet partner që kemi raporte bilaterale shumë të mira, është shtet mik dhe kemi shumë aktivitete vjetore ku njëri prej tyre është edhe stërvitja e përbashkët
‘Përgjigja e Menjëhershme’ që zhvillohet në Kroaci”.
“Për herë të parë pas mandatit të ri të FSK-së, edhe FSK-ja merr pjesë në një ushtrim të përbashkët me shtetet e NATO-s. Është mundësi e mirë që ushtarët tanë të prezantojnë kapacitetet e tyre”.
“Në këtë ushtrim marrin pjesë edhe ushtritë e vendeve të rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, Hungaria dhe të tjera. Është një përfshirje e shteteve mike dhe partnere në rajon”..
“Vet fjala ose emërtimi i stërvitjes – ‘Përgjigja e Menjëhershme’ – tregon edhe qëllimin e kësaj stërvitjeje”.
Por, si është ndjerë Rrustem Berisha kur trupat e FSK-së kanë zbarkuar në Kroaci – në vendin ku ai vet kishte shërbyer si komandant?
“Vërtetë atë ditë kur pjesëtarët tanë kanë zbarkuar në Kroaci ka qenë ndjenjë e veçantë për vet faktin se pamja e ushtarëve tanë ishte shumë e mirë, profesionale dhe shumë ushtarake”.
“Jo vetëm unë që kam shërbyer në Kroaci, por çdo qytetar i Kosovës e ka ndjerë veten mirë kur i ka parë ushtarët tanë duke zbarkuar në një shtet mik si është Kroacia”.
Ministri i Mbrojtjes në Sytë 7 në Klan Kosova ka treguar të gjitha fazat, në periudhën kohore prej dhjetë vjetësh, të transformimit të FSK-së në ushtri.
“Jemi në përmbyllje të 120 ditëshit të fazës së parë të tranzicionit dhe kryesisht fokusi në këtë fazë ka qenë në përgatitjen administrative, akteve nënligjore, rregulloreve, udhëzimeve dhe miratimin e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit”.
“Nga Qeveria në këtë fazë është miratuar struktura e Ministrisë së Mbrojtjes, rregullorja e funksionimit të kësaj ministrie, nga presidenti janë dekretuar simbolet që do t’i ketë FSK-ja në të ardhmen, gradat e oficerëve dhe nënoficerëve, dizajnimi i uebfaqes së Ministrisë së Mbrojtjes dhe të tjera”.
“Në kuadër të 28 rregulloreve që parashihen në fazën e parë janë përzgjedhur 11 me prioritet. Duke u bazuar në ligjet e reja që i ka Ministria dhe FSK-ja besoj që në përfundim të këtyre 11 rregulloreve është krijuar një bazë e mirë që të fillojë tranzicioni”.
“Kur jemi te plani gjithëpërfshirës do te jetë një plan transparent që do të jetë gradual i ndarë me faza dhe për secilën fazë janë paraparë edhe aktivitetet që do të zhvillohen”.
“Faza e parë do të zgjasë nga viti 2019 deri në vitin 2012 dhe në këtë fazë pritet të kompletohet faza ligjore dhe dokumentet strategjike”.
“Në fazën e dytë që është nga viti 2021 deri në vitin 2025 parashihet që të jenë modernizimi i pajisjeve individuale dhe kolektive si dhe rritja e kapaciteteve operacionale”.
“Në fazën e tretë janë paraparë të arrihen kapacitetet e plota operacionale dhe të përmbyllet plani gjithëpërfshirës i tranzicionit që është plan dhjetëvjeçar”.
Berisha ka treguar edhe për raportet me KFOR-in duke thënë se nuk ka asnjë zbehje të raporteve.
“Ne kemi raporte shumë të mira me KFOR-in dhe me NATO-n që është në Kosovs ku përmes NALT-it kemi takime të përditshme”.
“Të gjithë të arriturat janë storie e përbashkët suksesi. I jemi mirënjohës KFOR-it për angazhimin dhe kontributin që ka dhënë tash e 20 vjet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”.
“Në asnjë element nuk është vërejtur ndonjë ndryshim në raport me punën, koordinimin dhe bashkëpunimin që kemi pasë në të kaluarën”.
“Përkundrazi vazhdojmë të kemi takime të njëjta, bashkëpunimin dhe koordinimin e njëjtë me partnerët tanë”.
Ai në fund ka komentuar edhe konkursin për rekrutë të FSK-së duke thënë se interesimi ishte shumë i madh ku për 650 vende të reja të punës kanë aplikuar 6900 persona.