Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i ka dorëzuar sot Klinikës së Gjinekologjisë Obstetrike dy pajisje në vlerë prej 110 mijë euro, të cilat kjo klinikë nuk i ka poseduar më parë. Bëhet fjalë për një Histeroskop modern, i cili bën ekzaminimet për tumore në mitër, anomali të ndryshme dhe sterilitet në vlerë prej 80 mijë euro, si dhe një thikë ultrasonografike bipolare, në vlerë prej 30 mijë euro.
Ministri Ismaili, pas dorëzimit të këtyre pajisjeve për këtë klinikë, tha se këto janë vetëm pajisjet e para, nga shumë prej tyre të cilat pritet të dorëzohen në ditët në vijim, raporton Ekonomia Online.
“Klinika e Gjinekologjisë Obstetrike është një nga klinikat më të rëndësishme dhe ngarkuara që kemi. Shumë herë në këtë klinikë nuk kanë mundur të ofrohen shërbime të duhura në mungesë të aparaturës, edhe pse mjekët i kemi shumë të përgatitur për to. Prandaj, me blerjen e këtyre pajisjeve, ne do tu ofrojmë kushte më të mira mjekëve dhe siguri më të madhe pacientëve”, ka thënë ai. Më tej, ministri Ismaili, tha se përmes këtyre veprimeve do të synojnë që sa më shumë shërbime për qytetarët tanë t’i ofrojnë në institucionet publiket shëndetësore, në mënyrë që ata të mos kenë nevojë të orientohen në klinika private.
Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se, me ardhjen e këtyre pajisjeve, QKUK-ja do të përmirësoj shërbimet e saj shëndetësore.
“Me modernizimin e pajisjeve i cili është duke u bërë tani, ne do të pëmirësojmë shërbimet mjekësore, do të rritim sigurinë e tyre dhe do të ruajmë xhepin e qytetarëve tanë por edhe të shtetit”, ka thënë ai.
Kurse drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë Obstetrike, Myrvete Paçarada, falënderoi ministrin Ismaili për blerjen e këtyre pajisjeve. Ajo tha se kjo klinikë ka pasur nevojë sikur “toka për diell” për to.
“Falënderoj ministrin Ismaili për këtë iniciativë që të përmirësohen pajisjet mjekësore në këtë klinikë. Ne nuk i kemi pasur më parë ato dhe kemi pasur shumë nevojë për blerjen e tyre. Me blerjen e këtyre pajisjeve ne do të jemi në gatishmëri të qytetarëve tanë në çdo moment”, ka thënë ajo, raporton Ekonomia Online.