Ministri Ismaili premton pajisje të reja për Klinikën e Emergjencës në QKUK

Prishtinë | 29 Maj 2018 | 16:09 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar Klinikën e Emergjencës në Qendrën Spitalore Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për të ndjekur nga afër punimet të cilat kanë nisur aty.

Ministri Ismajli tha se rinovimi në këtë klinikë ka qenë i domosdoshëm në mënyrë që qytetarët të kenë hapësirën e duhur, raporton Ekonomia Online.

“Ne e dimë që kjo klinikë ka qenë një portë e madhe për qytetarët, dhe këto hapësira nuk kanë qenë hapësira të nevojshme për m’i pritë pacientët tanë. Dëshiroj ta falënderoj personelin mjekësor që kanë punuar në kushte të vështira dhe kanë ofruar shërbime kualitative”.

“Ne do të sjellim pajisje të reja gjatë muajit qershor dhe kjo hapësirë do të renovohet dhe do të ofrojë kushte të mira, si për pacientët, edhe për personelin shëndetësor. Pas përfundimit të këtij projekti do të vazhdojmë me projekte të tjera, që kanë për qëllim përmirësimin e dukshëm të institucioneve tona publike”, tha ai.

Drejtori i Klinikës së Emergjencës në QKUK, Basri Lenjani, tha se qëllimi i këtij rinovimi është përmirësimi i kushteve dhe shërbimi më i mirë për klientë, raporton EO.

“Më në fund Klinika Emergjente në bashkëpunim me shërbimin spitalor të QKUK-së si prioritet kanë pasur fuqizimin e shërbimeve emergjente mjekësore. Në rend të parë sigurimin e kuadrit mjekësor, sigurimin e pajisjeve të nevojshme dhe renovimin aktual që po bëhet në Klinikën Emergjente. Qëllimi i kësaj është ngritja e shërbimeve emergjente për të gjithë qytetarët. Afati kohor për kryerjen e punimeve është 45 ditë, mirëpo shpresojmë që do të kryhen para afatit”, tha ai.

Të ngjashme