Ministri Veliu në takim me ambasadoren Willems: Prioritet i kam luftimin e krimit dhe korrupsionit

Prishtinë | 11 Mar 2020 | 13:33 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Agim Veliu ka thënë se prioritet e ka luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe veprimtare të tjera kriminale.

Për prioritetet e tij ministri Veliu e njoftoi ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë,  Gerrie Willems të mërkurën gjatë një takimi .

“Fillimisht, ministri Veliu e njoftoi ambasadoren Willems për prioritetet e tij si ministër i MPBAP, duke theksuar luftimin e të gjitha llojeve të krimit, me theks të veçantë luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe veprimtarive të tjera kriminale, të cilat cenojnë sigurinë në Republikën e Kosovës.’, është thënë në një komunikatë të MPBA-së.

Gjithashtu, ministri Veliu bëri të ditur se në vazhdën e ngritjes së kapaciteteve të institucioneve të sigurisë, do ta thellojë më tej bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. Ministri Veliu e falënderoi shtetin e Holandës për mbështetjen që i ka dhënë Ministrisë përmes projekteve për ngritje të kapaciteteve.

Ambasadorja Willems, uroi ministrin Veliu për postin e tij të ri dhe u shpreh e gatshme që të përkrahë Kosovën në forcim të institucioneve dhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, në linjë me kriteret relevante ndërkombëtare.

Të ngjashme