Ministri Zharku përuroi përfundimin e punimeve të rrugës rajonale Piranë – Mamushë dhe fillimin e punimeve të vazhdimit të rrugës Jabllanicë – Zaplluxhë
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, së bashku me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, kryetarin e Komunës së Mamushës, Arif Bütüç, kanë përuruar përfundimin e punimeve të ndërtimit të rrugës rajonale Piranë – Mamushë.
Po ashtu, ministri Zharku me kryetarin Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi dhe kryetarin Muja përuroi fillimin i punimeve për projektin e vazhdimit të rrugës Jabllanicë – Zaplluxhë në fshatin Lez.
Ministri Zharku uroi banorët e kësaj ane për rrugën e re duke i siguruar ata se Ministria e Infrastrukturës dhe Qeveria e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë në përmirësimin e infrastrukturës në këtë anë.
“Kjo rrugë është një investim i Ministrisë së Infrastrukturës në vlerë prej 1,050,00.00 eurosh, me një gjerësi prej 6 metrash, trotuar dhe me gjatësi rreth 6 kilometrash. Ne do të vazhdojmë me investime të tjera në këtë anë”, tha ministri Zharku.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja falënderoi ministrin Zharku për investimet që po bënë Ministria e Infrastrukturës në këtë rajon dhe uroi banorët e kësaj ane për rrugën e re.
“Është një moment i veçantë për qytetarët e këtyre dy komunave. Ndërtimi i kësaj rruge ka qenë nevojë shumë e madhe për banorët e kësaj ane, sepse kjo rrugë ka qenë shumë e dëmtuar dhe ndërtimi i saj të lehtësojë shumë jetën banorëve”, tha kryetari Muja.
Ndërtimi i rrugës rajonale Piranë – Mamushë do të mundësojë qarkullimin më të mirë të banorëve të komunave të Prizrenit, Mamushës dhe Suharekës.
Po ashtu, vazhdimi i ndërtimit të rrugës Jabllanicë – Zaplluxhë është financuar nga Ministria e Infrastrukturës, ndërsa vlera e saj është në vlerën 751,693.89 euro, me një gjatësi 8.6 kilometrash.
Me këtë rast ministri Zharku theksoi se kjo rrugë ka rëndësi të madhe për shkak se do të lehtësojë dhe shkurtojë qarkullimin e banorëve të kësaj ane.
“Ne do të vazhdojmë me investime të tjera në komunën e Prizrenit dhe Dragashit, jemi në hartim e sipër të projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm dhe së bashku do të përmirësojmë infrastrukturën e këtyre dy komunave”, tha Zharku.
Ndërtimi i kësaj rruge ka një rëndësi të veçantë, sepse do të lehtësojë qarkullimin e banorëve të këtij fshati dhe fshatrave tjera të Opojës, duke shkurtuar distancën në gjatësi afër 20 kilometrash dhe shpenzimet e udhëtimit.
Projektet e tjera që do të financohen nga Ministria e Infrastrukturës në komunën e Prizrenit janë: Lidhja e Zonës Industriale me autostradën në hyrje të Prizrenit dhe Realizimi i projekteve të tjera infrastrukturore në komunën e Prizrenit.