Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka deklaruar se ende nuk kanë marrë përgjigje nga britanikët lidhur me kërkesën e Kosovës që policia “Scotland Yard” të bëjnë një hetim të ndarë lidhur me vdekjen e anëtarit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.
“Ende nuk kemi pranuar përgjigje”, ka thënë Hoxha, për Express, të dielën.
Kjo zyrtare e Qeverisë së Kosovës ka thënë se në ditët në vijim do të diskutojmë me ambasadorin britanik, Ruairí O’Connell, derisa, ajo pret përgjigje pozitive për kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë dhe Kryeprokurorit për hetimin e “Rastit Dehari” edhe nga një palë e tretë.
“Besoj që edhe në kërkesën tonë do të gjejmë mirëkuptim”, ka shtuar ajo.
Por, cila është baza ligjore nëse angazhohen hetues nga Britania për të hetuar vdekjen e Deharit?
Ministrja e Drejtësisë jep përgjigje: “Sa i përket bazës ligjore: Ligji nr. 04/L-213 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale, neni 98, lejon themelimin e njësive të përbashkëta të hetimit. Ftesa e dërguar te pala britanike është bërë bashkërisht nga Ministria e Drejtësisë dhe e Prokurorit të Shtetit, i cili, në bashkërendim me Ministrinë e Drejtësisë, ka kompetencë për bashkëpunim ndërkombëtar sipas nenit 9 të Ligjit 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit”, ka deklaruar Ministrja Hoxha.
Dhurata Hoxha kishte bërë kërkesë britanikëve që të përfshihen në hetim të pavarur, kredibli lidhur me vdekjen e Astrit Deharit dhe të nxjerrin të vërtetën e vdekjes së 26-vjeçarit.