Ministria e Drejtësisë jep sqarim rreth suspendimit të Avokatit të Shtetit

Prishtinë | 15 Gus 2017 | 10:31 | Nga

Ministria e Drejtësisë (MD), ka sqaruar raportimin në media se Avokati i Shtetit është suspenduar nga puna pasiqë ka raportuar korrupsioni, raporton Ekonomia Online.

Përmes një komunikate përcjell medieve MD thotë se kjo deklaratë është plotësisht tendencioze dhe ka për qëllim manipulimin e opinionit publik për të krijuar një imazh negativ të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Ministres Hoxha.

Deklarata e plotë e MD-së:

Në disa portale dje, më 14.8.2017, u raportua se Ministrja Dhurata Hoxha, ka suspenduar avokatin shtetëror Shefqet Hasimi, vetëm pse “foli kundër korrupsionit”.

Kjo deklaratë është plotësisht tendencioze dhe ka për qëllim manipulimin e opinionit publik për të krijuar një imazh negativ të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Ministres Hoxha.

Avokati shtetëror Shefqet Hasimi u suspendua dhe ka filluar procedura disiplinore kundër tij sepse në komunikim zyrtar ka bërë deklarata të pavërteta në raport me Agjencinë Kosovare të Privatizimit duke e akuzuar atë se ka bërë privatizimin e kundërligjshëm të Hotelit Grand, thuhet në reagiminin e MD-së.

Avokati shtetëror, Sheftqet Hasimi, e ka bërë këtë deklaratë të pavërtetë edhe pse Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme për Çështjet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit në dy instanca e ka vërtetuar se privatizimi i Hotelit Grand ka qenë i ligjshëm. Kjo çështje është ngritur edhe deri në Gjykatën Kushtetuese, e cila e ka refuzuar ankesën.

Republika e Kosovë është paditur nga Mabco Construction në arbitrazh ndërkombëtar për dëmshpërblim lidhur me rastin e privatizimit të Hotel Grand dhe në këtë procedurë Republika e Kosovës mbrohet nga Avokatura Shtetërore, pjesëtar i të cilës është vet Shefqet Hasimi.

Deklaratat e tij të pavërteta e dëmtojnë pozicionin juridik të Republikës së Kosovës në procedurën e arbitrazhit dhe janë jo vetëm joprofesionale por edhe të pandershme, kur si avokat shtetëror e ka për detyrë të mbrojë Republikën e Kosovës.

Nëse avokati shtetëror Shefqet Hasimja ka fakte se procedura e privatizimit të Hotel Grand ka elemente korruptive, si avokat shtetëror është dashur të ngrit këtë çështje te organet kompetente, gjë që nuk e ka bërë, e jo të bëjë deklarata që dëmtojnë interesin juridik të Republikës së Kosovës.

Kundër veprimeve joprofesionale të avokatit shtetëror Shefqet Hasimja, Ministria e Drejtësisë ka pranuar ankesa të shumta nga Ministritë dhe Agjencitë shtetërore për qasje joprofesionale, kulmi i të cilave ka qenë deklarata lidhur me Hotelin Grand, dhe për të cilat tani do t’i nënshtrohet procedurës së disiplinimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme