Ministria e Shëndetësisë fut në karantinë edhe Prishtinën

Prishtinë | 11 Pri 2020 | 21:05 | Nga Ekonomia Online

Nga 94 mostra të testuara sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK, për SARS-Cov-2, njëzet prej tyre kanë rezultuar pozitive në Prishtinë.

Pas konfirmimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të 27 rasteve të reja pozitive sot në Kosovë me SARS-Cov-2, prej të cilave 20 në Prishtinë, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në konsultim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nxori vendimin për shpalljen e Prishtinës si zonë karantinë.

Me këtë vendim, ndalohen hyrje dhe daljet në komunën e Prishtinës.

Obligohen të gjithë qytetarët që të respektojnë masat sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Këtë vendim, Ministria e Shëndetësisë e ndërmerr me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të pandemisë Covid -19 në Republikën e Kosovës.

Një vendim të ngjashëm, sot Ministri Vitia për shpalljen zonë karantinë e ka marrë edhe për Komunën e Ferizajt, pasi që banorët e kësaj komune dyshohet se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejt me personin e infektuar me Koronavirusin Covid-19.

Për rastet e tjera përveç Prishtinës IKSHPK do të njoftojë sonte pas testimit të të gjitha mostrave të sotme.   

Nesër, me datë 12 prill 2020, do të mbahet një konferencë e jashtëzakonshme për media ku do të prezantohen masat e reja rigoroze që do të ndërmerren për përhapjen e mëtejme të Covid-19 në Kosovë.

Të ngjashme