Një nga temat më të ‘nxehta’ është projektkodi civil, i cili rregullon martesën mes personave me gjini të njëjtë. Ky projektkod u dërgua për votim në Kuvend në mars, mirëpo dështoi, ndërsa një përpjekje e tillë pritet të realizohet “shumë shpejt”.
MD ka thënë se pas mosmiratimit të këtij projektkodi “kanë filluar punën në drejtim të rishikimit të draftit, me theks të veçantë nenit 1138, ku janë përfshirë edhe ekspertë të fushës përkatëse”.
Sipas shqyrtimeve të para të nenit 1138, lejohen bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me gjini të njëjtë.
Mirëpo, kjo ministri thotë se “shumë shpejt” draftin do ta procedojë fillimisht në Zyrë të Kryeministrit për shqyrtim dhe aprovim nga ana e Qeverisë, e më pas në Kuvend.
“Pasi kemi pranuar vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për mosmiratimin e Projekt-kodit Civil, kemi filluar punën në drejtim të rishikimit të draftit, me theks të veçantë nenit 1138, ku janë të përfshirë edhe ekspertë të fushës përkatëse. Ministria e Drejtësisë po punon që drafti të procedohet shumë shpejt fillimisht në Zyre të Kryeministrit për shqyrtim dhe aprovim nga ana e Qeverisë dhe më pas procedimin e tij në Kuvend, siç përcaktohet me dispozitat përkatëse në fuqi”, thuhet në përgjigjen MD-së për Express.
Dy deputetët e opozitës, Mërgim Lushtaku nga PDK dhe Pal Lekaj nga AAK, dy ditë më parë kanë treguar se nuk do ta votojnë këtë projektkod.
Lushtaku tha se do t’i kërkojnë Qeverisë që të vijë me ndryshimet e kërkuara në mënyrë që të mos mbetet peng i disa neneve Kodi.
“Ne kemi mundësinë t’i kërkojmë Qeverisë që të vijë me ndryshimin e kërkuar nga deputet te cilët nuk e kanë votuar dhe për neve duhet të kalojë ai Kod Civil sepse është i nevojshëm dhe të mos mbetet peng për disa nene të caktuara të cilën fatkeqësisht e kanë sjellë të mos votohet një Kod Civil i tillë”, tha Lushtaku për EO.
Ndërsa Pal Lekaj tha se kjo parti ka qenë mjaft e qartë dhe nuk do ta votojë Kodin Civil.S ipas tij, për këtë çështje ata kanë marrë edhe opinionet e elektoratit.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë mjaft i qartë. Nuk do ta votojmë Kodin Civil. I kemi arsyet dhe kemi konsultuar elektoratin dhe kemi marrë përgjigje që ne nuk duhet ta votojmë Kodin Civil. Ashtu siç e kanë sjellë në Kuvend nëse ndryshohet atëherë ne mund të bisedojmë, por me këtë ofertë që e kanë bërë Qeveria ne nuk do ta votojmë Kodin Civil”, tha Lekaj për EO.
Ndërsa në fund të shtatorit, deputeti i partisë në pushtet, Eman Rrahmani tha se nuk e kundërshton këtë projektkod në tërësi, por vetëm dy nene.
“Vazhdoj të kem të njëjtat qëndrime absolutisht. Ai kod me ato nene të njëjta nëse vjen në Kuvend do të ketë votën time të njëjtë”, tha ai.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, nuk është përgjigjur se a do ta votojë LDK këtë projektkod, por përgjegjësinë ia la shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusari – Lila.
“Për këtë pyetje thirre Mimoza Kusari – Lilën edhe thuj “qysh ki me i siguru 67 deputetë t’tut, për me i pasë në sallë, me votu çdo ligj, jo vetëm këtë?”. Ky është kushti për me udhëheq ose me lëshu rrugë. Ose dojnë me punu ose nuk munden me punu me 67 deputetë, e mos pas kuorum në asnjë seancë plenare. Cdo seancë që mbahet e rregullt, e jashtëzakonshme, ndërpritet nga kryetari i kuvendit për shkak të kuorumit”, tha Zemaj në “DPT te Fidani” më 26 shtator.
Në mars të këtij viti, ky projektkod nuk e mori përkrahjen e nevojshme të deputetëve. 61 morën pjesë në votim, 28 votuan për, 29 ishin kundër dhe 4 abstenuan.
Në mesin e deputetëve që votuan kundër ishin edhe 14 nga grupi parlamentar i VV-së.