Në Londër të Britanisë së Madhe po mbahet Forumi për Investime dhe Tregti Kosovë-Britani e Madhe- ShBA, organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).
Në këtë Forum, ku po prezantohen mundësitë e shumta për investime që ofron Kosova për investitorët e britanikë, amerikanë dhe për investitorët e shteteve të tjera, po marrin pjesë përfaqësues të lartë qeveritarë të udhëhequr nga kryeministri i Republikës së
Kosovës, Isa Mustafa; ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.
Ministrja Bajrami foli për procesin e reformave që ka ndërmarrë Kosova në funksion të përmirësimit të ambientit të të bërit biznes. Ajo tha se Kosova ka bërë përparime të mëdha në këtë drejtim, si në aspektin e ndërtimit të një legjislacioni modern ashtu edhe në përmirësimin e mjaft indikatorëve tjerë të rëndësishëm, si eliminimi i barrierave administrative, përmirësimi i infrastrukturës, ofrimi i incentivave të ndryshme, etj.
Këto reforma, tha ministrja, janë konfirmuar edhe nga Raporti i fundit i Bankës Botërore i cili e ka nxjerrë Kosovën në vendin e 60 në nivel global sa i përket lehtësisë së të bërit biznes. Më tej, znj. Bajrami nënvizoi se Kosova ka liberalizuar tregtinë me tregjet të mëdha perms marrëveshjeve të tregtisë së lirë, si CEFTA, MSA, etj., të cilat mundësojnë që kompanitë ndërkombëtare mund të prodhojnë në Kosovë me kosto të lirë operative dhe të eksportojnë në këto tregje pa detyrime doganore.
Në kuadër të legjislacionit të përshtatshëm për biznes, ministrja përmendi edhe Ligjin për Investime Strategjike, i cili siç tha ajo, ofron një mekanizëm mjaft efikas ligjor për investitorët e huaj, që të realizojnë investimet e tyre në kohë më të shkurtër si dhe pa pengesa burokratike. Ajo ftoi investitorët britanikë, amerikanë dhe të tjerë që të investojnë në Kosovë dhe u zotua se qeveria e vendit do t’u ofrojë mbështetjen e plotë institucionale.
Në anën tjetër, Besian Mustafa, drejtor i agjencisë KIESA prezantoi mundësitë që ofron Kosova për investime nga sektorë të ndryshëm industrialë, ndërsa ministrat Avdullah Hoti, Blerand Stavileci dhe Memli Krasniqi, prezantuan projektet investive që mbulohen nga resorët që ata drejtojnë. Në këtë forum po marrin pjësë mbi 200 kompani të ndryshme ndërkombëtare dhe nga Kosova.