Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka filluar kompletimin e stafit të kabinetit të saj politik.
Deri më tani, ministrja Hoxha ka emëruar dy këshilltarë. Në pozitën Shef i Kabinetit, këshilltare është emëruar Arizona Bërdynaj, e cila ka të përfunduar studimet në lëmin e menaxhmentit dhe informatikës. Ajo ka përvojë mbi 15-vjeçare në qeverisje dhe menaxhim, si në sektorin publik po ashtu dhe në atë privat.
Në pozitën e këshilltarit politik, deri tani është emëruar Edmir Sejdiu, i cili është në përfundim të studimeve post-diplomike në fushën e Integrimeve Evropiane dhe Administratës Publike. Sejdiu ka përvojë mbi gjashtë vjeçare në sektorin e shoqërisë civile dhe në fushën e arsimit.
Ndërsa Mrikë Karaqi është e angazhuar si asistente ekzekutive.
Gjatë ditëve në vijim, ministrja Hoxha do të emërojë edhe këshilltarët tjerë të Kabinetit, duke qenë e përkushtuar për fuqizimin e shtetit ligjor, transparencës dhe llogaridhënies, thuhet në njoftim shtypi të kësaj ministrie.