Është koha e fundit që të gjithë ta kuptojnë rolin e tyre në procesin e integrimit evropian pavarësisht çfarë funksioni mbajnë. E kemi raportin për vendin dhe sfidat e identifikuara, po ashtu e kemi Agjendën Evropiane të Reformave dhe MSA-në si dokumente udhërrëfyese. Le të krijojmë një konsensus nacional për të gjitha çështjet dhe reformat që janë pjesë e këtyre dokumenteve dhe të ecim para.
Kështu tha ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha nësSeancën e jashtëzakonshme lidhur me Raportin për vendin nga Komisioni Evropian.
Ajo e ka konsideruar si real dhe pozitiv raportin në fjalë edhe nga perspektiva krahasuese me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Hoxha ka përmendur shkurtimisht të arriturat e evidentuara aty, si Zgjedhjet e vitit 2017, Votimi në Kuvend i Ligjit për Ratifikimin e demarkacionit, Progresi në Reformën e Administratës Publike dhe rishikimit të agjencive dhe trupave të pavarura, Progresi në zbatimin e pakos ligjore të vitit 2015, Integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në drejtësinë e Kosovës.
Në kuadër të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, theksoi Ministrja, është shënuar progres në trajtimin e rasteve të shënjuara, duke përfshirë vendimet e shkallës së fundit si dhe në konfiskimet preliminare, progres në luftën kundër terrorizmit, masat për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, radikalizmin dhe parandalimin e qytetarëve për t’u bashkuar konflikteve në vendet e treta.
Në Kosovë, vuri në dukje ministrja, Raporti ka cekur se ka mjedis pluralist dhe dinamik të mediave, kemi rezultate shumë të mira në fushën e zhvillimit ekonomik, është përmirësuar mjedisi i të bërit biznes, Qeveria ka respektuar rregullin fiskal për deficitin buxhetor, eksporti ka shënuar rritje, ka progres në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, masat për marrëdhëniet e mira dhe konstruktive bilaterale me vendet e rajonit, angazhimi i Kosovës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, progres në lirinë e lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve, tatimit, doganave, prokurimit, konkurrencës dhe në menaxhimin e migrimit të rregullt e ilegal.
“Raportin duhet ta shohim dhe ta trajtojmë me objektivitet ashtu siç është. Askujt nuk i bën nder dhe nuk na duhet që të mohohen të arriturat dhe progresi të cilin e përmend Komisioni Evropian në raport. Po ashtu, askujt nuk i duhet që të mos flasim edhe për sfidat të cilat janë specifikuar në raport”, shtoi ajo.
Sipas Ministres, Raporti ka evidentuar si sfidë, fragmentimin dhe polarizimin e vazhdueshëm politik, duke ndikuar negativisht në rolin e Kuvendit dhe kanë ndikuar në efektivitetin e Qeverisë. Veprime të papranueshme nga një numër i deputetëve gjatë periudhës raportuese, të tilla si përdorimi i gazit lotsjellës, kanë penguar punën e Kuvendit.
“Ka shqetësime sa i përket politizimit të administratës, duhet të punohet në rritjen e kapaciteteve të gjyqësorit dhe eliminimit të ndikimit politik, institucionet të jenë më efektive për të luftuar pastrimin e parave, korniza ligjore garanton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në përputhje me standardet evropiane por megjithatë, nevojiten përpjekje shtesë lidhur me zbatimin, Ekonomia joformale, rritja e papunësisë e cila kryesisht ka prekur gratë, të rinjtë dhe punëtorët e pakualifikuar, përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe adresimi i boshllëqeve të aftësive në tregun e punës si dhe adresimin e çështjeve mjedisore”.
“Duhet të fokusohemi në fuqizimin e zbatimit të ligjeve, implementimin e reformës së administratës, avancimin e politikave të punësimit dhe arsimit, vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
“Asnjë projektligj, reformë apo proces tjetër nuk guxon të ngec për shkak të mos pajtimeve politike e partiake. Është koha e fundit që të gjithë ta kuptojnë rolin e tyre në procesin e integrimit evropian pavarësisht çfarë funksioni mbajnë. E kemi raportin për vendin dhe sfidat e identifikuara, po ashtu e kemi Agjendën Evropiane të Reformave dhe MSA-në si dokumente udhërrëfyese. Le të krijojmë një konsensus nacional për të gjitha çështjet dhe reformat që janë pjesë e këtyre dokumenteve dhe të ecim para.