Miqësia me Rugovën, raportet me Thaçin, qëndrimi ndaj Kurtit

Prishtinë | 07 Qer 2023 | 21:40 | Nga Ekonomia Online

MILAZIM KRASNIQI: Ibrahim Rugovën e kam pasur njërin nga miqtë më të mirë në jetë. E kemi filluar bashkëpunimin në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës në vitin 1987, në një përpjekje që t’i kundërviheshim terrorit të nacionalizmit serbomadh, që u pompua skajshmërisht pas ardhjes së Millosheviqit në pushtet në Serbi dhe pas proklamimit të objektivave të nacionalizmit serb me anën e Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve në vitin 1986. Në shkurt 1988 ne e morëm bashkë drejtimin e asaj shoqate, Rugova si kryetar e unë sekretar i saj. Betejat tona në Francuska 7, në konfrontim me shkrimtarët serbë, kanë qenë vërtet historike. Simbolika e atij angazhimi u kurorëzua në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Gjervgjeli (Dojran) Në atë Kongres ne arritëm një koalicion funksional me sllovenët e kroatët dhe ashtu kongresi solli zhbërjen e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë. Ishte organi i parë federativ që u zhbë. Sa për kuriozitet, mund t’u them se kam qenë njeriu i fundit në foltoren e tij, sepse derisa unë po flisja e nuk po e respektoja kërkesën e kryetarit që më ndërpreu fjalën, disa shkrimtarë serbë u nisën të më hiqnin me dhunë nga foltorja.

Kryetari i sapozgjedhur, Sllobodan Seleniq, për të shmangur skandalin, i ndërpreu punimet pa u miratuar rezoluta. U shkaktua një rrëmujë, nga e cila pas pak ditësh doli qëndrimi ynë dhe i sllovenëve e kroatëve se ne më nuk ishim pjesë e LSHJ-së. Bashkëpunimi intensiv me Rugovën në aso rrethanash ne na afroi, na forcoi e na trimëroi, ashtu që në vitin 1989, bashkë me një grup kolegësh e miqsh, e themeluam Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë politike më të madhe shqiptare të të gjithë kohërave. Bashkëpunimi ynë ka vazhduar deri në fillim të vitit 2000, kur unë i pakënaqur u largova nga LDK-ja. Unë u largova, por idetë themelore për Kosovën e pavarur dhe për orientimin strategjik të shqiptarëve i mora me vete dhe vazhdoj t’i mbaj edhe më tutje me po aq pasion. Rugova ka qenë ideator i pavarësisë së Kosovës në realitetet e reja gjeopolitike që u krijuan pas krizës së ish federatës jugosllave. Ai u distancua nga ideja e një republike të Kosovës brenda federatës, por edhe nga ideja irredentiste e bashkimit me Shqipërinë. Projekti alternativ ishte krijimi i një republike të të gjithë shqiptarëve që jetonin në atë kohë në ish Jugosllavi, po kur u proklamua se kufijtë e brendshëm të republikave nuk do të lejohej të ndryshoheshin, Rugova e përqafoi përfundimisht projektin e një Kosove të pavarur. Ka punuar për atë projekt me mjete politike dhe me gjithë fuqinë e vet. Fatkeqësisht, edhe duke bërë disa gabime, të cilat na kushtuan shumë të gjithëve. Miqësinë e prishëm, por idetë për një Kosovë të pavarur, shqiptare, demokratike e atlantike na mbetën të njëjta.

Ndërsa Hashim Thaçin e kam njohur vetëm në gusht 1999, kur kam pasur një bisedë shumë interesante me të. Në atë takim të parë ia kam shpjeguar historikun dhe qëndrimin e LDK-së dhe i kam kërkuar të bënte ç’të mundte që të frenonte konfrontimet politike, që kishin filluar. Më pati bërë përshtypje se ishte shumë i kujdesshëm, shumë i rafinuar në dialog. Mbaj mend se në fillim të bisedës më pati thënë se romanin tim “Fijet e shpirtit“ e kishte lexuar gjatë luftës dhe një kohë e kishte mbajtur në çantën e shpinës. Nuk ishte kompliment për mua, ishte qasje inteligjente e tij ndaj një kundërshtari politik. Në vitin 2007 ai më ka ofruar të bashkohesha me të në qeverisje, po nuk kam dashur të angazhohesha më tutje, meqë e pata mbyll angazhimin tim partiak. Vërtet, Thaçi ka qenë bashkëbisedues i këndshëm, fjalëpak, i koncentruar në maksimum dhe respektues. Pas fitores së tij në zgjedhje, unë kam qenë në favor të qeverisjes më bazë të gjerë, për shkak të problemeve që kishte Kosova. Me Thaçin nuk mund të them se kam pasur miqësi, por kam pasur dhe kam respekt për guximin, energjinë, qëndrueshmërinë dhe pasionin e tij për politikën. Roli i tij në çlirimin e Kosovës dhe në shtetndërtimin e Kosovës është historik. Ishte e domosdoshme të përkrahej në mandatin e parë, meqë në atë mandat u shpall po prej tij pavarësia e Kosovës. Ndërkaq, gjatë mandatit të dytë dhe veçmas derisa ishte president, e kam kritikuar shumë shpesh, nganjëherë mjaft ashpër, veçmas lidhur me afrimin me disa ide të Kameron Manterit e Xhon Bolltonit për shkëmbimin e territoreve. E marr me mend se ka qenë i mërzitur prej atyre kritikave të mia.

Në fakt, miqësi me Thaçin krijoi ndërkohë im bir, Memli, çka besoj se mandej e ka ushqyer edhe qëndrimin tim më dashamirës ndaj Thaçit, pra edhe si mirënjohje ndaj tij për mundësinë që ia ka dhënë Memlit që në fillim të karrierës së tij politike.

SHENJA: Tash ndaj kryeministrit Albin Kurtit jeni mjaft kritik. A ka ndonjë arsye specifike për këtë qëndrim?

MILAZIM KRASNIQI: Edhe pse para disa vitesh mund të kem pasur arsye për hidhërim personal, për shkak të sulmeve që më janë bërë mua dhe familjes sime nga bandat e atëhershme të LVV-së, tash nuk kam ndonjë hidhërim. Zoti na ka njoftuar se më të mirët e njerëzve janë ata që durojnë dhe ata që falin. Kritikat e mia ndaj Kurtit dhe qeverisë së tij kanë të bëjnë me përpjekjet e mia modeste intelektuale që të sinjalizoj se në cilat pika mund të dëmtohet Kosova nga politika e pamenduar mirë. Qëndrimi im thjesht është parimor. Po ua skicoj përvojën time të mëhershme të njëjtë: unë kam plot tekste në të cilat e kam kritikuar Rugovën dhe LDK-në edhe në kohën kur kam qenë afër Rugovës dhe zyrtar i LDK-së. Janë qëndrime publike, jo vetëm diskutime në forumet e partisë. Sikundër përmenda pak më herët, e kam kritikuar Thaçin ashpër në dhjetëra komente e postime, sidomos lidhur me idenë e rrezikshme të shkëmbimit të territoreve. Të njëjtin gjë e bëj edhe sot ndaj Kurtit si kryeministër, veçmas për politikën e tij të gabueshme ndaj veriut dhe ndaj dialogut. Jam i bindur se po t’i kishte respektuar këshillat që ia kam adresuar publikisht, nuk do ta kishte këtë gjendje të rëndë që e ka sot. Fatkeqësia jonë është se politikanët tanë, nga i pari e deri te i mbrami, nuk i respektojnë mendimet e intelektualëve dhe të ekspertëve. Prandaj bëjnë shumë gabime, nga të cilat vuajnë vetë dhe nga të cilat e pëson vendi.

(Fragment nga intervista në revistën “SHENJA”, qershor 2023

Të ngjashme