Kuvendi i Kosovës, me 62 vota pro, ka kaluar projektligjin për ndarjen buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka propozuar mocion procedural për ndryshim të rendit të ditës, ndërsa është miratuar nga deputetët.
“Për të propozuar mocion procedural për të vendosur pikë të parë të rendit votimin mbi ndarjen buxhetore për buxhetin e Kosovës dhe pas tij të gjitha projektligjet në lexim të dytë; pas atyre ato në lexim të parë dhe pas atyre pikat që kanë mbetur nga seancat e tjera”, tha ai.
Me kërkesë të Dardan Sejdiut nga PSD-ja, është hequr nga rendi i ditës pika 13 që ka të bëjë me dialogun me Serbinë.
Sejdiu ka shpalosur pesë kërkesa për kryeministrin.
Ai tha se në situatën ku është Kosova, duhet pas parasysh që kemi një delegacion shtetëror për dialog.
Ai konsideron se funksionaliteti i Kuvendit nuk guxon të mbetet nën Listën Serbe.
“Nuk pajtohemi që buxheti, paga, investimet, të ndahen apo të pengohen nga ky instrument edhe 20 vjet pas lirimit. Në mënyrë që në parim të përkrahim buxhetin kemi 5 kërkesa për kryeministrin. Ligji për paga të votohet në lexim të dytë, ligji për dialogun të miratohet në qeveri dhe të dërgohet në kuvend jo më larg se të hënën, ligji për qeverinë të sjelljet në kuvend për miratim jo më larg se 3 muaj, kërkesa jonë si PSD është se nuk mund të ketë më shumë se 2 zv.ministra. Kërkojmë nga ju kryeministër funksionalizimin e ministrisë së bujqësisë, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe punësim.
Ai ka kërkuar që të lirohet nga detyra ministri i Bujqësisë.
“Kërkojmë nga ju lirimin nga detyra të ministrit të Bujqësisë që nuk po e kryen detyrën. Kërkesa e fundit është projekt-buxheti i Kosovës është tepër i ngarkuar me skema sociale dhe benefite dhe kjo ngarkesë buxhetore është e lartë. Kërkesa fundit është të themelohet një komision për draftimin e sistemit pensionale dhe ky të udhëhiqet nga PSD-ja”, tha Sejdiu.
E, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj tha se këto kërkesa janë të drejta dhe do të marrin obligime për të zbatuar këto kërkesa.
“Në kohën kur Lista Serbe ka provu me kushtëzu Kosovën të gjithë keni mbajt qëndrim parimor, qëndrim me i ecë disa tema me rëndësi si ajo e ushtrisë. Kërkesat janë të drejta dhe ne në diskutim si koalicion qeverisës marrim obligime për këto kërkesa, pra që të hënën të vazhdojmë me zbatimin e dialogut me Serbinë”, tha Haradinaj, raporton EO.
Përndryshe, projektbuxheti për vitin 2019 është paraparë të jetë 2.3 miliardë euro, ndërsa pas votimit në lexim të parë, kërkohet që ky projektligj të votohet edhe në leximin e dytë pas shqyrtimit nëpër Komisione parlamentare.
Ky projektbuxhet nuk është mbështetur nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo ka fituar përkrahjen e subjektit tjetër opozitar, Partisë Socialdemokrate.