Qeveria ka miratuar të mërkurën projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në mbledhjen e mbajtur nga ora 10:00, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se miratimi i këtij projektligji ka ardhur pas shumë diskutimesh dhe një procesi të detajuar planifikimi, për shkak të rëndësisë së madhe.
Ai ka theksuar se planifikimet janë që të ardhurat që do të arkëtohen në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të jenë 7 për qind – 3,5 për qind do të paguajnë qytetarët përmes pagës, ndërsa 3,5 për qind nga punëdhënësi.
Ai ka shtuar se me anë të këtij projektligji rregullohet edhe çështja e mbledhjes së kontributeve nga qytetarët për këtë Fondin e sigurimeve.
“Kjo nismë ligjore është paraprirë nga një proces i detajuar planifikimi, analizimi por edhe diskutimi. Me këtë nismë themelohet fondi i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor i Republikës së Kosovës. Për herë të parë përcakton rregullat për listën e barnave të rimbursueshme që do të transformojë rrënjësisht mbështetjen që shteti jep për qytetarët. Me këtë projektligj po rregullohen edhe çështjet e mbledhjes së kontributeve nga qytetarët për fondin e sigurimeve dhe këto kontribute do të jenë një nga burimet e rëndësishme të financimit të shëndetësisë në të ardhmen e afërt”.
“Kostoja shtesë për qytetarë do të jetë një mbledhje e kontributeve shtesë në emër të solidaritetit që të shtohet buxheti në shëndetësi. 7 për qind do të jenë, ku 3,5 për qind do të jenë nga paga e qytetarëve dhe 3,5 për qind nga punëdhënësi”.
Sipas ministrit, ky është një moment vendimtar për ngritjen e sistemit shëndetësor në një nivel të ri.
“Konsideroj që ky është një moment vendimtar për vendin tonë, për marrëdhënien qytetar-shtet dhe për ngritjen e sistemit shëndetësor në një nivel të ri. Zbatimi i këtij ligji do të jetë një nga sfidat më domethënëse të qeverisjes sonë dhe me të po japim në të tashmen mbështetjen më të madhe për shëndetësinë dhe për të ardhmen qëndrueshmërinë e shpenzimeve për çështjen e shëndetit”, ka thënë Vitia.