Shqipëria është vendi me përqindjen më të lartë të emigracionit në botë, por mënyra se si po trajtohet vota e tyre është tejet problematike.
Vota nga jashtë, përmes postës, paraqet rreziqe të konsiderueshme për deformimin e demokracisë sonë dhe diskriminon qytetarët që jetojnë në Shqipëri. Të dhënat e publikuara nga censusi i fundit i popullsisë në Shqipëri, kur analizohen në lidhje me regjistrin civil, nxjerrin në pah, se së paku 48% e popullsisë ose 2.2 milionë shtetas shqiptarë jetojnë aktualisht jashtë Shqipërisë ( pa llogaritur ata që kanë hequr dorë nga shtetësia apo fëmijët e emigrantëve që nuk janë regjistruar fare në Shqipëri por kanë të drejtë shtetësie). Kjo e bën Shqipërinë të parin vend në botë për sa i përket përqindjes së popullsisë së emigruar, duke lënë prapa Guajanën, Bosnje Hercegovinën, Sirinë dhe Afganistanin. Mirëpo ajo që çudit është fakti që edhe pse kemi përqindjen më të lartë të diasporës, ministrinë e posaçme që kishim e shkrimë ndërkohë që më shumë se 80 shtete kanë ministri apo agjenci për diasporën, pavarësisht se kanë përqindje më të ulët të popullsisë jashtë sesa ne. Diaspora tek ne po trajtohet vetëm në kuadër të populizmit dhe retorikës boshe, me përllogaritje elektorale dhe asnjëherë nuk është trajtuar siç duhet me një debat të mirëfilltë racional. I tillë qe edhe rasti i reformës së fundit zgjedhore që përfshiu mundësimin e votës me postë për emigrantët. Kjo reformë në pamje të parë mund të duket si një arritje për diasporën por në të vërtetë paraqet goxha rreziqe e mund të jetë madje edhe kundërvepruese.
Sikurse kam shpjeguar në një shkrim të mëparshëm, vota me postë e emigrantëve, në vetëvete, mund të rrisë mundësinë për manipulime elektorale dhe të instrumentalizojë emigrantët si vegël për të deformuar demokracinë shqiptare. Votimi me postë nga jashtë është proces i vështirë për t’u kontrolluar dhe mbikëqyrur nga autoritetet përgjegjëse në Shqipëri të cilat nuk kanë juriduksion në shtetet ku jetojnë emigrantët. Pra sigurimi i kushteve të barabarta për të gjithë kandidatët si dhe zbatimi i standardeve të njëjta të sigurisë, transparencës dhe mbikëqyrjes ligjore, është pothuajse i pamundur për një popullsi të shpërndarë në shumë vende të ndryshme, ku autoritetet dhe legjislacioni i Shqipërisë nuk ka vlerë. Përtej potencialit për manipulimeve ky shkrim synon të debatojë aspektet etike e morale të votës nga jashtë, gjë për të cilën nuk ka pasur debat fare në Shqipëri. Madje kjo temë nevralgjike nuk po trajtohet për shkak të romantizimit të skajshëm të diasporës dhe mungesës së kurajos për të thënë të vërteta të hidhura e jo-popullore.
Për shkak të një vizioni të ngjyrosur nga nostalgjia për diasporën, është harruar të thuhet se me këtë reformë të sapomiratuar ka cënime të parimeve kushtetuese. Lejimi i votës me postë për emigrantët, mund të konsiderohet një shkelje e parimit themelor të barazisë para ligjit që diskriminon shtetasit shqiptarë që ende jetojnë në vendlindje e privilegjon diapsorën. Përse duhet që emigrantëve që mund të kenë shumë vite pa ardhur në Shqipëri, t’iu lejohet ta mbushin me nge fletën e votimit në rehatinë e shtëpisë së tyre duke pirë kafe me familjarë, e mandej pa ngut ta dërgojnë me postë, ndërkohë që qytetarët e Shqipërisë duhet të udhëtojnë drejt qendrave të votimit në një ditë të caktuar, të mbajnë radhën, të shkojnë individualisht në kuti të fshehta votimi (ku as nuk mund të asistojnë në proces të afërmit me probleme shëndetësore). Lejimi i votës me postë për diasporën mund të krijojë ndarje dhe privilegje të padrejta midis qytetarëve që jetojnë në Shqipëri dhe atyre që janë jashtë vendit duke krijuar një një klase elektorale të privilegjuar.
Në vend të një analize të ftohtë dhe të sinqertë të çështjes së diasporës, diskutimet janë mbushur me një ngarkesë të madhe emocionale që ka deformuar realitetin. Reforma nuk ka siguruar të drejtën e votës së diasporës, sikurse po pretendohet, sepse kjo e drejtë nuk iu është hequr kurrë emigrantëve. Pra bëhet fjalë për një lehtësim shtesë për të gëzuar më rehat një të drejtë që ata e kanë pasur gjithmonë. Thjesht duhet të vinin fizikisht në Shqipëri për të votuar. Këtu duhet theksuar se pavarësisht retorikës naive për diasporën që dëgjohet sot për votën me postë, e vërteta gjakftohtë dhe racionale është ndryshe. Faktikisht duhet pasur kurajoja intelektuale për të thënë se gëzimi i të drejtave që të jep shtetësia lidhet ngushtë me territorin e këtij shteti. Shërbimet dhe garantimet e të drejtave të qytetarit, si rendi, shëndetësia, arsimi, siguria sociale etj., lidhen ngushtë me territorin e një shteti, pasi infrastruktura, juridiksioni dhe burimet e nevojshme për të ofruar këto shërbime janë të kufizuara brenda kufijve të shtetit, duke pamundësuar zbatimin dhe garantimin e plotë të tyre jashtë vendit. Për ta ilustruar, shërbimi i rendit publik apo i kujdesit të urgjencës ndaj shtetasve të vetë është një nga detyrat e përgjegjësitë kryesore të një shteti, por është absurde që një emigrant shqiptar që jeton në Kretë apo Siçili të pretendojë t’i shkojnë në ndihmë patrullat e shqiponjës apo ambulancat shqiptare nëse ka ndonjë aksident.
Për të krijuar një distancë higjenike nga e folura emotive e politikisht korrekte është mirë të analizojmë praktikat ndërkombëtare për sa i përket votës së diasporës. Sipas një studimi gjithëpërfshirës global të institutit prestigjioz IDEA, votimi nga diaspora lejohet në 115 (53.4%) vende dhe territore në botë (të cilat organizojnë zgjedhje shumëpartiake dhe garantojnë votën universale) ndërsa 100 të tjerë (47.6%) nuk e lejojnë fare dërgimin e votës nga jashtë. Mirëpo duhet shtuar se nga kjo shifra 115, një e treta e kufizon pjesërisht të drejtën për votim nga jashtë. Shpesh ky kufizim ka të bëj me lidhjen e emigrantëve me vendin e origjinës, kohëzgjatja e qëndrimit të tyre jashtë shtetit dhe synimin e tyre për t’u kthyer. Kështu për shembull Australia nuk të lejon të votosh nëse ke qenë rezident jashtë shtetit më shumë se 6 vjet, Kanadaja 5 vjet, Zelanda e Re 3 vjet ndërsa Mbretëria e Bashkuar ta heq të drejtën e votës po pate më shumë se 15 vjet rezidencë jashtë vendit.
Po ashtu ka vende të cilat i mundësojnë diasporës të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në legjislaturën kombëtare duke lënë një grup mandatesh në legjislativ, të rezervuara enkas si distrikt elektoral më vete ekskluzivisht për diasporën. Kjo praktikë ka për qëllim forcimin e lidhjes së votuesve të jashtëm me komunitetin politik kombëtar, duke mundësuar promovimin e axhendës së tyre legjislative dhe ndërhyrjen direkte nga një këndvështrim i diasporës në debatet dhe proceset e marrjes së vendimeve politike. Kështu për shembull Kroacia e konsideron diasporën zonë zgjedhore më vete që ka të garantuar 3 deputetë (1.9% i 151 deputetëve) , Italia 8 ( 2 % i 400 deputetëve), Franca 11 ( 1.9% i 577 deputetëve) Portugalia 4 (1.7% të parlamentit) e kështu me radhë.
Po ashtu ka vende vendet dhe territoret që e kufizojnë të drejtën për votim në varësi të aktivitetit për të cilin shtetasit e tyre janë jashtë. Kështu për shembull India, Izraeli dhe Irlanda lejojnë të votojnë prej jashtë shtetit, vetëm shtetasit që kryejnë misione zyrtare jashtë vendit me natyrë diplomatike ose ushtarake, ndërsa përveç funksionarëve shtetërore, vende si Fixhi apo Malajzia i shtojnë listës edhe studentëve, punonjësve të organizatave ndërkombëtare ku vendi i tyre bën pjesë si dhe punonjësve të kompanive të kompanive që janë regjistruar tek ta. Pra dy elemente qe mungojnë në debatin shqiptar janë sa koh është shkëputur prej vendit, dhe nëse emigranti është larguar me qëndrim të përkohshëm jashtë apo ka ikur njëherë e mirë e ska ndër mend të kthehet.
Njëkohësisht, kur flitet për votën nga jashtë, vlen të përmendet se në botë ka katër metoda të ndryshme votimi që përdoren për votimin jashtë vendit, të cilat janë: votimi personal në misionet diplomatike ose në vende të tjera të caktuara; votimi me prokurë; votimi elektronik dhe votimi me postë sikurse u miratua në Shqipëri. Shumica ose më saktë, 55 shtete i organizojnë votimet në misionet e tyre diplomatike nëpër botë. Në fund të fundit, ambasada është pika kryesore e kontaktit dhe ofrimit të shërbimeve të shtetit përkundrejt emigrantëve jashtë territorit sovran dhe ky opsion garanton mbulimin me juridiksion nga shteti amë dhe jep disa garanci për rregullsi të procesit të votimit. Nga gjithë këto vende që lejojnë shtetasit e tyre të votojnë nga jashtë, vetëm 27 përdorin votën me postë sepse konsiderohet procesi më i pasigurtë dhe më i rrezikuar nga manipulimet. Pra nuk është aspak rastësi që është zgjedhur pikërisht kjo metodë votimi në një vend ku ende lulëzon masivisht manipulimi.
Për shkak të mitizimit të diasporës dhe mungesës së guximit intelektual për të përballuar realitetin e hidhur dhe të pakëndshëm, nuk janë vënë asnjëherë në dukje disa argumente që kanë bindur dhjetëra shtete që të kufizojnë ose mos-lejojnë votën nga jashtë të diasporës. Fillimisht duhet thënë se emigrantët, për shkak të largësisë fizike, shpesh nuk janë të informuar me çështjet e rëndësishme dhe urgjente të komuniteteve lokale dhe sfidat ekonomike, sociale, politike, juridike të brendshme. Pra vihet në dyshim nëse kanë një lidhje të mjaftueshme me realitetin politik, social dhe ekonomik të vendit të tyre të origjinës për të marrë vendime të informuara në procesin e votimit. Emigrantët mund të jenë të shkëputur nga përditësimet për kandidatët dhe çështjet lokale që janë me rëndësi për votuesit brenda vendit dhe interesat kombëtare, Po ashtu emigrantët mund të kenë akses të kufizuar në informacionin e plotë dhe të saktë jo vetëm për prioritetet e vendit por edhe për ofertën politike, pra për partitë, kandidatët, politikat dhe zhvillimet lokale, duke çuar kështu në vendime të pa-informuara për votim. Pavarësisht internetit dhe televizionit, shumë emigrantë që janë integruar mirë në vendin pritës prej një kohe të gjatë, kanë humbur kontaktin e drejtpërdrejtë me realitetin e përditshëm të jetës në Shqipëri dhe nuk sa duhet ata që garojnë për të marrë votën e tyre.
Po ashtu, për hir të së vërtetës duhet thënë se shumë emigrantë vizitojnë Shqipërinë vetëm për periudha të shkurtra ( kryesisht gjatë pushimeve vjetore) dhe vota e tyre mund të ndikohet nga një perceptim i përkohshëm sipërfaqësor i situatës, pa marrë parasysh zhvillimet afatgjata të vendit. Kjo nënkupton që mund të mos jenë të informuar për zhvillimet e fundit në infrastrukturë, rend, ligj, siguri, ekonomi, apo politika sociale, dhe si rrjedhojë vota e tyre mund të mos pasqyrojë me saktësi interesat e vendit. Thënë ndryshe, ata mund të mos jenë të përditësuar për zhvillimet e fundit në vend dhe si rrjedhojë, vota e tyre mund të mos reflektojë interesat apo nevojat e popullsisë lokale si dhe interesat e Shqipërisë. Mirëpo mund të jenë përditësuar vetëm me aeroportin, rrugët që të çojnë drejt bregdetit, hotelet dhe restorantet e reja, pra elmente turizmi me të cilat ekspozohen gjatë atyre pak ditë pushimesh që kalojnë në Shqipëri.
Këtu shtrohet një problem tjetër që ka të bëjë me prioritete të ndryshuara për shkak të emigrimit. Jeta në një vend të huaj dhe ekspozimi ndaj një kulture dhe sistemi politik të ndryshëm mund të ndikojë në prioritetet dhe perceptimet e emigrantëve. Kjo do të thotë se vota e tyre mund të jetë e ndikuar nga realitete të jashtme që nuk përputhen me nevojat e brendshme të Shqipërisë.. Prandaj shtrohet pyetja, a do të përfaqësojnë emigrantët me të vërtetë interesat e vendit të tyre të origjinës, apo do të jenë më të fokusuar në interesat e vendit ku jetojnë aktualisht? Emigrantët mund të jenë të përqendruar në çështjet ekonomike të vendit ku jetojnë dhe të mos jenë aq të interesuar në zhvillimet ekonomike të Shqipërisë.. Ata mund të jenë më të interesuar për çështje që lidhen me diasporën, pensionet apo marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe vendit ku jetojnë se sa të kenë ndonjë interes për debatet mbi politikat e brendshme, investimet në infrastrukturë apo shërbimet publike për qytetarët që jetojnë këtu.
Për më tepër duhet thënë që emigrantët që kanë fituar nënshtetësi tjetër dhe kanë lidhur jetën me vende të tjera prej dekadash, mund të kenë lidhje më të dobëta emocionale , morale dhe patriotike me Shqipërinë. Një pjesë e tyre ka vendosur të integrohet plotësisht ne vendin pritës e madje nuk iu mësojnë as shqip fëmijëve të cilët mund të kenë bërë tashmë shërbimin ushtarak e të jenë betuar për besnikëri para një flamuri të huaj. Fundja çdo vit rreth një mijë shqiptarë heqin dorë nga shtetësia e Shqipërisë ndërsa në Kosovë numri i heqjes dorë prej shtetësisë ka arritur në mbi 57 mijë. Emigrantët shqiptarë mund të jetojnë në vende me retorika, debate mediatike apo interesa gjeopolitike specifike në rajonin tonë që nuk janë detyrimisht në harmoni me orientimet, karakteristikat apo interesat e kombit tonë. Kështu për shembull në vende si Italia apo Greqia ku jeton shumica e emigrantëve tanë, ekziston një traditë e konsoliduar anti-amerikane brenda të majtës historike dhe të djathtës ekstreme, ndërsa euro-barometri tregon tendenca dominuese pro-ruse në opinionin publik. Nga ana tjetër, orientimi drejt aleancës me SHBA-të është e shenjtë dhe jetike për mbijetesën tonë si popull i rrethuar historikisht nga ujqër me pretendime territoriale ndaj nesh.
Gjithashtu, votimi nga jashtë mund të krijojë një fushë të ndjeshme për ndërhyrje të jashtme nga aktorë të ndryshëm shtetërorë e jo-shtetërorë që mund të instrumentalizojnë votat e emigrantëve për të arritur interesa specifike që mund të shkojnë ndesh me interesat tona kombëtare. Mjafton të kujtojmë vitet 90-ta dhe retorikën e Greqisë zyrtare asokohe për të ndërsyer emigrantët tanë kundër qeverisë në pushtet në Shqipëri, për të kuptuar se vota nga jashtë mund të mundësojë ndërhyrje të huaj në zgjedhjet e brendshme. Pra procesi mund të bëhet subjekt i presioneve diplomatike ose të tensioneve ndërkombëtare dhe raste të tilla janë të freskëta, si për shembull votimet në Gjeorgji apo Armeni, vende këto që kanë emigracion masiv në Rusi.
Kur flitet për lidhjen me vendin e origjinës, lind natyrshëm edhe një shqetësim tjetër, që ka të bëjë me mungesën e përgjegjësisë për pasojat që sjell vota e hedhur. Një nga parimet themelore të demokracisë është parimi i përfaqësimit. Një votë përfaqëson interesat dhe qëndrimet e një grupi njerëzish që jetojnë brenda një territori të caktuar, dhe që preken direkt nga vendimet politike dhe ekonomike të qeverisë së zgjedhur. Pjesa më e madhe e emigrantëve nuk kanë përfshirje direkte në jetën publike të Shqipërisë., nuk paguajnë taksa, nuk marrin shërbime të drejtpërdrejta nga shteti shqiptar, dhe nuk ndajnë përditshmërinë e sfidave me banorët lokalë. Pra emigrantët që votojnë nuk përballen drejtpërdrejt me efektet e politikave të qeverisjes për të cilën ata votojnë. Thënë ndryshe emigrantët nuk janë në Shqipëri për të ndjerë pasojat ekonomike, shoqërore apo politike të vendimeve që merr qeveria e zgjedhur. Nga ana tjetër politikat afatgjata mund të ndikohet nga votues që nuk kanë një angazhim të përhershëm me ekonominë dhe realitetet e Shqipërisë.
Kjo krijon një disbalancë të rëndësishme midis qytetarëve që jetojnë brenda vendit dhe atyre jashtë tij, duke minuar parimin e përfaqësimit të vërtetë. Për pasojë, ekziston një rrezik që vota e emigrantëve të ketë një efekt kundërveprues e ta thellojë hendekun e përçarjes ndërmjet banorëve në Shqipëri dhe diasporës sidomos në kushtet kur vota e emigrantëve të përmbysë rezultatin e votës vendase. Kjo është një gjë veçanërisht e rrezikshme në vende si ky yni ku përqindja e emigrantëve që janë në lista është pothuaj e barabartë më atë të banorëve në Shqipëri. Mund të ndodh që votuesit që nuk banojnë në Shqipëri për periudha të gjata , ta ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve, duke krijuar një disbalancë mes interesave të tyre dhe të popullsisë vendase. Kjo mund të çojë në zgjedhjen e qeverive që nuk reflektojnë nevojat e popullatës rezidente duke krijuar një hendek të madh midis shqiptarëve që jetojnë jashtë prej një kohe të gjatë dhe atyre që jetojnë në Shqipëri. Kjo mund të çojë në një ndjenjë të ndarjes së interesave dhe prioriteteve mes këtyre dy grupeve, duke krijuar tensione dhe pabarazi përfaqësimi që vë në pikëpyetje legjitimitetin e sistemit tonë demokratik.
Këtu vjen rreziku i politizimit dhe radikalizimit të diasporës në kurriz të interesave të vendit dhe të qytetarëve që kanë vendosur mos ta braktisin Shqipërinë. Nëse vota e diasporës lejohet në një shkallë të gjerë, ajo mund të sjellë edhe një fragmentarizim të skenës politike shqiptare. Me pak fjalë ekziston rreziku, që diaspora të bëhet një target për partitë politike, të cilat mund të tentojnë të manipulojnë votën e tyre përmes retorikës dhe premtimeve të veçanta që lidhen vetëm dhe vetëm me interesat e ngushtë të emigrantëve. Partitë politike mund të fillojnë të krijojnë politika të dedikuara vetëm për diasporën, për të siguruar votat e tyre, ndërsa lënë mënjanë çështjet më të rëndësishme për qytetarët rezidentë. Për një lider politik të papërgjegjshëm është shumë më e lehtë që të ndezë një retorikë boshe populiste nacionaliste që prek lehtë emocionet e mërgatës; që të investojë në shërbime konsullore më cilësore e efikase në përfaqësitë tona diplomatike në shtetet ku kemi shumë diasporë, apo investojë për nisma të diplomacisë publike, reklama në media e PR në këto shtete pritëse sesa ta bëj Shqipërinë një vend dinjitoz.
Pra për këtë soj qeveritarësh është më e lehtë të investohet që emigrantët të ndihen më mirë e të vlerësuar në vendet ku kanë emigruar sesa të investojnë për ta bërë Shqipërinë një vend dinjitoz të ngjashëm me pjësën tjetër të kontinentint në mënyrë që emigracioni të frenohet ( e mundësish të rikthehet sikurse ka ndodhur pasi u zhvillua Irlanda e Polonia) e ku rinia të zgjedhë të mos largohet por ta shohë si atdheun ku do të ndërtojë të ardhmen e vetë. Kjo situatë potenciale, mund të çojë në një polarizim të ri të politikës shqiptar, und të krijojë një disbalancë në ofertat elektorale për popullsinë brenda vendit dhe të zbehë përqendrimin në prioritetet kombëtare dhe reformat e nevojshme për zhvillimin e vendit.
Ka edhe pikëpyetje të tjera që mund të ngrihen për diskutimin për votimin nga diaspora, por për ta përmbyllur këtë artikull, duhet të theksojmë se, ndërsa diaspora shqiptare luan një rol të rëndësishëm në historinë dhe zhvillimin e vendit, mundësimi i votës së tyre nga jashtë me postë e pa kufizime paraqet sfida të mëdha për integritetin e votës dhe mbart implikime të thella në politikën shqiptare. Ndërsa mund të argumentohet se është një mënyrë për të inkurajuar pjesëmarrjen e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit në procesin demokratik, është gjithashtu e rëndësishme të konsiderohen rreziqet e mundshme që vijnë prej tyre. Personalisht, duke patur parasysh përmasat e diasporës shqiptare, unë do kisha preferuar një version hibrid të votimit nga jashtë të emigrantëve nëpërmjet ambasadave tona, që kombinon dy praktika ndërkombëtare e që bën një diferencim mes qytetarëve që janë me qëndrim të përkohshëm jashtë vendit dhe diasporës së konsoliduar që nuk ka ndonjë plan të kthehet. Në rastin e parë do përdorja modelin e sipërpërmendur të Kanadase apo Australisë, të kufizimit të votës me vitet e rezidencës jashtë atdheut për shtetasit që zotohen se do të kthehen dhe nuk kanë qendruar si rezidentë permanent më shumë se 6-7 vjet jashtë vendit. Vota e këtyre qytetarëve me qëndrim të përkohshëm jashtë Shqipërisë do të duhej të konsiderohej e barabartë me secilin votues rezident tek ne. Së dyti do të adoptoja modelin e Kroacisë apo Portugalisë e do të shtoja një zonë zgjedhore të 13-të në Shqipëri të dedikuar për diasporën me 3 deputetë , për të cilën do të ftoja të votoja të gjithë pjestarët e diasporës, pavarësisht kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre jashtë Shqipërisë.
Ky është opinioni im personal, mirëpo ajo që ka më së shumti rëndësi është nevoja për të zhvilluar një debat publik të hapur, racional dhe të ndershëm për ta adresuar siç duhet këtë çështje nevralgjik. Ky debat duhet të përfshijë të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë edhe ekspertë në fushën e së drejtës kushtetuese, shkencave politike dhe sociologjisë. Përveç kësaj, është e rëndësishme të krijohen mekanizma të qarta dhe transparente për votimin nga diaspora, duke siguruar identifikimin e saktë të votuesve, parandalimin e mashtrimeve dhe mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor. Unë besoj së vetëm nëpërmjet një qasje gjithëpërfshirëse dhe të të bazuar mbi kompetencë dhe atdhedashur e jo në përllogaritje banale elektorale, Shqipëria mund të gjejë një zgjidhje që të mbrojë e avancojë demokracinë e saj dhe të forcojë lidhjet me diasporën.