Te kampionia e Kosovës në futboll (femrat), KFF Mitrovica, pranojnë se kundërshtari i parë në Ligën e Kampionëve për edicionin 2020/21, nuk është aspak i lehtë. Mirëpo, në skuadrën mitrovicase insistojnë se synim mbetet kalimi i raundit të parë kualifikues në garën elitare të Evropës për futbollin e femrave.
KFF Mitrovica përballë do ta ketë kampionin e Austrisë, St. Polten. Kështu është vendosur me shortin që është tërhequr të enjten në selinë e UEFA-s, në Nyon të Zvicrës, shkruan koha.
Për shkak të situatës së krijuar me koronavirus, është vendosur që të luhet vetëm nga një ndeshje në kuadër të raundit të parë, të cilën KFF Mitrovica do ta zhvillojë në udhëtim, më 4 nëntor prej orës 16:00. Datën dhe orën ekipit mitrovicas ia ka konfirmuar kundërshtari, të cilin shpreson ta kalojë për të vazhduar në raundin e dytë. Kryetari i klubit Mitrovica, Hajrullah Haxhiu, ka konfirmuar për KOHËN që synimet janë të mëdha.
“Në Ligën e Kampionëve nuk ka kundërshtar të dobët dhe këtë e kemi pasur parasysh. Është paksa vështirë për shkak se do të luhet vetëm një ndeshje, por ne do të udhëtojmë në Austri me synimin për të vazhduar tutje në këtë garë. Nuk do të jetë lehtë, pasi St. Polteni ka përparësi për shkak të përvojës dhe që luan në shtëpi, por besoj në ekipin tonë që është i gatshëm”, ka thënë Haxhiu. “Vazhdimisht kemi punuar si ekip, madje edhe gjatë bllokimit nga pandemia nuk i kemi ndalur përgatitjet. Kështu që nuk do të shkojmë atje për t’u dorëzuar, por për të luftuar deri në fund. Ekipin e kemi kompletuar si për kampionatin e Kosovës ashtu edhe për Ligën e Kampionëve, gjë që është shumë e rëndësishme”.
Ekipin mitrovicas në këtë ndeshje do ta udhëheqë Veton Çitaku, i cili do ta zëvendësojë Seid Onbashin që ditë më parë u largua nga posti i trajnerit pas më shumë se gjashtë vjetëve.