Mjekët në Kosovë thonë se s’kanë teste mjaftueshëm për t’i testuar të gjithë për Coronavirus

Prishtinë | 29 Pri 2020 | 10:00 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet shëndetësore në Kosovë janë kritikuar disa herë për numër të vogël të testimeve për personat e dyshuar me koronavirusin Covid-19.

Por, ata që merren me luftimin e pandemisë thonë se nuk kanë teste për të testuar të gjithë qytetarët si të dyshuar.

Megjithatë, ata shprehen se në ditët në vazhdim do rrisin nivelin e testimeve të personave, por kërkojnë nga qytetarët dhe organizata të ndryshme që të mos bëjnë presion në personelin mjekësor që t’i nënshtrohen testeve.

Nga 8 shkurti i këtij viti rreth 7,000 persona në Kosovë janë testuar si të dyshuar me koronavirusin e ri.

Kurse, aktualisht Kosova ka mbi 7,300 teste në dispozicion, thotë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Faik Hoti zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë. Si rezultat i kësaj, Hoti thotë se ditëve të fundit është rritur numri i testimeve dhe pritet që nga java e ardhshme kjo shifër të rritet edhe më shumë.

“Gjatë fundjavës që shkoi, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) është furnizuar me 7,300 teste për diagnostikimin e COVID-19. Nga këto, 4,100 nga kontrata e Ministrisë se Shëndetësisë, 3,000 donacione nga Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe 200 të tjera donacione”, thotë Hoti.

Kosova dhe Shqipëria me më pak teste në Ballkan

Disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duket se qëndrojnë më mirë në procesin e testimit. Sipas ueb-faqes Worldometers, e cila gjurmon rastet e koronavirusit, deri më 28 prill, Serbia ka testuar mbi 7,700 persona në një milion banorë, Kroacia rreth 8,000 persona, Bosnjë e Hercegovina mbi 8,000, Maqedonia e Veriut rreth 7,300 dhe Mali i Zi ka testuar 8,100.

Kosova nuk figuron në këtë ueb-faqe, por sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, Kosova ka mbi 1,7 milion banorë dhe 6,955 teste, që i bie se janë testuar mbi 3,970 persona në një milion banorë. Më keq qëndron Shqipëria, me 2,603 persona të testuar në një milion banorë.

Një punëtor shëndetësor duke kryer teste të shpejta për koronavirusin në Gjermani. Fotografi nga arkivi.

Ndërkaq, mikrobiologu, Lul Raka, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, thotë se numri i mostrave varet nga numri i testeve që janë në dispozicion.

Pasi Kosova nuk ka mundësi të prodhojë teste dhe varet nga importi, Raka thotë se është shumë vështirë furnizimi me to për shkak të kërkesës së madhe globale për këtë produkt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme