Nga janari deri në mes të dhjetorit, afër 600 pacientë kanë marrë trajtim në Njësinë e Mjekimit Intensiv Qendror (MIQ), e cila aktualisht i posedon 21 shtretër. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, shefi i Mjekimit Intensiv në QKUK, Shaqir Uka.
Sfidë në këtë klinikë është numri i vogël i mjekëve e infermierëve, ndërsa një numër i madh i pacientëve janë si shkak i lëndimeve në aksidente të komunikacionit.
Uka ka thënë se numri më i madh i pacientëve ka qenë në muajin shkurt me gjithsej 66 pacientë, trefish më shumë se kapaciteti që posedon kjo klinikë.
“Nga fillimi i këtij viti e deri më tani, numri i përgjithshëm i pacientëve të cilët janë pranuar dhe kanë marrë trajtim mjekësor në Njësinë e Mjekimit Intensiv Qendror (MIQ) dhe disa nga të cilët edhe më tutje tani marrin trajtim mjekësor është 588 në total. Numri më i madh i pacientëve të cilët neve i kemi pranuar gjatë një muaji ka qenë 66 në shkurt të këtij viti. Kjo i bie sa trefishi i kapaciteteve të disponueshme në MIQ. Mjekimi Intensiv Qendror disponon me 21 shtretër aktiv, të cilët në këtë kohë derisa ne po flasim, të gjitha janë të mbushur me pacientë dhe nuk disponojmë asnjë shtrat të lirë”, ka thënë Uka.
Uka ka thënë se pacientët në këtë klinikë kryesisht janë për shkak të traumave, ndërsa nuk përjashtohen as pacientët me lëndime nga armët e zjarrit e therje me thikë.
“Arsyet që një pacient duhet të marr trajtimin në Njësinë e Mjekimit Intensiv janë të ndryshme. Janë në gjendje të shokut, janë në gjendje të pamjaftueshmërisë së organeve, në të cilët pacienti mundet me përjetua qoftë për shkak të traumave ose për shkak të ndonjë sëmundje tjetër bazë. Në përgjithësi në vitet e fundit varion një numër nga 23 deri në 27 për qind të cilët janë pacientë traumatik, gjegjësisht pacientë të cilët marrin lëndime në aksidente të komunikacionit. Arsyet thash se janë të ndryshme që një pacient detyrohet të marrë trajtim në MIQ. Ne kemi (pacient) me të gjitha sëmundjet tjera të cilët dërgojnë deri në një gjendje të pamjaftueshmërisë së organeve ose në gjendje të shokut”, u shpreh Uka, teksa shtoi se kanë pacientë me gjakderdhje në tru e me lëndime nga armët e zjarrit e armë të ftohta.
Kujdesi Intensiv ofron nivelin më të lartë të monitorimit dhe mbështetjes në jetë për pacientët me sëmundje kritike, andaj është e domosdoshme edhe përkujdesja maksimale për ta. Por numri i vogël i mjekëve, ka bërë që profesionistët shëndetësor të punojnë 24 orë në çdo të gjashtën ditë.
“Sa i përket stafit të mjekëve, për momentin jemi më keq se sa kemi qenë më herët. Përpara kemi pas kujdestari të mjekëve të cilët janë të detyrueshme, kemi pas në çdo tetën ditë, tash për shkak të mungesës së mjekëve, jemi të detyrueshëm që kujdestaritë t’i mbajmë çdo të gjashtën ditë dhe atë nga çdo 24 ose 24 orë. Janë kujdestaritë e gjata dhe mjaft të lodhshme. Me një vëllim kaq të madh të punëve dhe me një numër kaq të madhe të pacientëve, duke e ditur edhe seriozitetin e tyre shëndetësore dhe angazhimi që duhet të jetë maksimal në çdo moment, kjo me të vërtetë është e lodhshme”, u shpreh Uka. Ndërsa për infermierë, Uka thekson se gjithmonë kanë mungesë për shkak të largimit.
“E sa i përket stafit të mesëm, neve kemi pas tash një prurje të re nga QKUK-ja me pesë infermierë të rinj, mirëpo infermierët tek ne janë gjithmonë mungesë. Është staf i ri, janë vajza të reja, disa largohen për shkak të obligimeve familjare, martesa, largime jashtë vendit e disa për arsye të tjera, mirëpo asnjëherë nuk jemi të kompletuar aq sa është dashtë dhe siç ne dëshirojmë të jenë”, theksoi Uka.