“Mjeshtëria e hollë” e Vetëvendosjes

| 09 Nën 2023 | 21:00 | Nga

Propaganda është mjeshtëri e hollë, e LVV-ja e ka të avancuar shumë këtë mjeshtëri. Qe pse: Në vend që të bëhet diskutimi se si erdhi puna qe Kurti e LV po e pranojnë një marrëveshje që e kanë kundërshtuar edhe me gjak, debati bëhet nëse drafti duhej të bëhet publik apo jo. Ose pse ende nuk eshte nje version zyrtar i tij i publikuar.

Ne kete debat, LV e bën fakt të kryer që ka pranuar një marrëveshje të tillë dhe se është çështje kohe kur ajo do të publikohej.

Kështu, militanti tashmë e ka të qartë që Kurti dhe LV jane pajtuar per Asociacionin/Zajednicën apo çfarëdo emri që mund t’i vihet. Pra, Albini gradualisht po e ndërgjegjëson militantin për këtë qëndrim radikal të tij në lidhje me dialogun.

Hapi i dytë i propagandës së LV-së është që “Kurti po e ndjekë Vuçiqin me e nënshkru Asociacionin, ama ai s’po don.”

Me këtë, makineria propagandistike e LV-së, po i thotë militantit, që Asociacioni që tashmë jeni ne dijeni që e kemi pranuar, është në favor te Kosovës sepse Serbia, pra Vuçiqi s’po e pranon të njëjtin. Edhe në këtë rast, i shkreti militant lehtësohet moralisht nga fakti qe po duhet me e gëlltitë Asociacionin, sepse sipas Liderit, ky na qenka i duhuri per Kosovën.

Hapi i tretë në këtë mes është se si Kurti do të arsyetohet në implementimin e Asociacionit edhe pa nenshkrimin e tij nga pala tjetër. Sigurisht që ekipi i Kurtit që merret me strategjinë e mesazheve politike jane në diskutimet finale se si do të dalin dhe te na thonë se implementimi i Asociacionit do të jetë me faza dhe nëse nuk shohin hapa konkretë nga Serbia, keta nuk do ta finalizojne implementimin e Asociacionit.

Në këto tri mesazhe qe Kurti/LV po i artikulon në publik në lidhje me Asociacionin, partitë opozitare janë pjesë e lojës dhe Kurti po i shfrytëzon ato në mënyrë të jashtëzakonshme.

Të ngjashme