Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka bërë ndarjen e çmimeve në fushën e trashëgimisë kulturore, raporton Ekonomia Online.
Çmimin në fushën e trashëgimisë kulturore për vepër jetësore “Dea Dardanicae” e ka marrë Jusuf Osmani. Çmimi për merita të veçanta “Shtjefën Gjeçovi” iu nda Shemsi Krasniqit. Çmimin për menaxhim institucional “Muhamed Shukriu” e mori Milot Berisha dhe atë për vepër shkencore “Zef Mirdita” e mori Gjon Berisha.
Ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi, tha se komisioni e ka vlerësuar me të drejtë secilin çmim që ka vendos me e nda dhe si ministri kanë qenë të përkushtuar që të kenë një juri profesionale dhe të marrin vendime të pavarura e të drejta.
“Puna e palodhshme dhe angazhimi i juaj sot merr çmime dhe për të tjerët që nuk janë në mesin tonë e mbajnë gjallë trashëgiminë e kulturore. Ne jemi mundu që jurinë me e mbështetë dhe si komision me marr vendime të pavarura dhe drejta. Jam i lumtur si ministër që po i ndajmë këto çmime me ju motivu juve. E dimë se veprimtaria juaj nuk shpaguhet me vlera monetare, por është akt i yni që e vlerëson punën tuaj në trashëgiminë kulturore dhe ne si ministri do jemi vazhdimisht mbështetës tuaj në veprimtarinë që bëni”, tha ai.
“Çmimin në fushën e trashëgimisë kulturore për vepër jetësore “Dea Daranica” e merr Jusuf Osmani, çmimin për merita të veçanta “Shtjefën Gjeçovi” e merr Shemsi Krasniqi, çmimin për menaxhim institucional “Muhamed Shukriu” e merr Milot Berisha dhe atë për vepër shkencore “Zef Mirdita” e merr Gjon Berisha”, tha Gashi, raporton EO.
Anëtari i jurisë, Nuri Bexheti, tregoi për mënyrën e vlerësimit të çmimeve që u dhanë sot.
Fituesi i çmimit për veprën jetësore, Jusuf Osmani, ka falënderuar ministrin për ndarjen e këtij çmimi në fushën e trashëgimisë, ku ai e cilësoi si shumë të rëndësishme.
“Faleminderit për këtë mirënjohje që e ndaj me shumë krijues të tjerë që na kanë ndihmuar të japim kontribut modest në konkurrimin e të dhënave në fushën e trashëgimisë që është e rëndësishme për ne sepse kjo identifikohet me identitetin kombëtar. Të huajt janë munduar këtë trashëgimi të na rrënojnë, por nuk e kanë arrit qëllimin dhe ajo që na ka mbet po mundohemi me tjetërsu”, tha Osmani.