Mobilizim kundër vendimit të FIFA-s

Prishtinë | 26 Qer 2018 | 16:17 | Nga

Ndeshja e së premtes në Kaliningrad të Rusisë ndërmjet Zvicrës dhe Serbisë, padyshim që pushtoi mediat botërore dhe rrjetet sociale.

Fitorja e kombëtares së Zvicrës, me golat e djemve me origjinë nga Kosova, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, ngjalli shumë reagime në botë.

Kjo për faktin se të dy festuan golat duke bërë me duar simbolin e shqiponjës. Festës së tyre, iu bashkuan edhe lojtarët e tjerë, duke përfshirë edhe kapitenin Stephan Lichtstenier, i cili po ashtu bëri shqiponjën.

Kjo festë e tyre, inatosi Serbinë më shumë se sa përmbysja e rezultatit në 2 me 1. Ata u ankuan në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) për festimin me shqiponjë, duke e quajtur provokim nga ana e futbollistëve nga Kosova.

FIFA dënoi Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën me nga 10 mijë franga zvicerane, kurse kapitenin Lichtsteiner me 5 mijë.

Mirëpo, 25 mijë franga duket se janë shumë pak krahasuar me gëzimin që përjetuan, sidomos tifozët shqiptarë të Zvicrës, të cilët edhe kanë shprehur gatishmëri për të paguar këtë gjobë të FIFA-s.

Madje janë krijuar edhe aplikacione online për të mbledhur fonde për të paguar këtë gjobë të shqiptuar nga institucioni i lartë i futbollit ndërkombëtar.

Në përkrahje futbollistëve u kanë dalë edhe politikanët. Ministri kosovar i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka vendosur që pagën e tij ta japë për të paguar një pjesë të kësaj gjobe.

“Nuk paguhen me para emocionet që na i sollën Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, kur festuan me shqiponjë, pas golave të tyre në ndeshjen Zvicër – Serbi. Ata u dënuan vetëm sepse nuk harruan rrënjët e tyre, nuk harruan nga vijnë”, ka shkruar ministri Hasani në Facebook.

Në përkrahje të Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit, ka dalë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka shkruar se “shenja e duarve shqiponjë është shenja jonë dalluese e komunikimit në raste gëzimi dhe me keqardhje për ata që e keqinterpretuan shenjën e gëzimit krejt spontan nga një moment i bukur sportiv”.

“MOS KINI FRIKË NGA SHQIPONJA është emri i llogarisë bankare ku gjithkush mund të japë një kontribut simbolik, për të paguar gjobën absurde të FIFA-s ndaj Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit”, ka shkruar Edi Rama në Facebook.

Këto nisma për mbledhjen e fondeve për të paguar gjobën e vënë nga FIFA, sipas Petrit Zogajt janë qesharake.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet shtetërore duhet të mobliziohen kundër vendimit të FIFA-s, që sipas tij është racist ndaj shqiptarëve.

“Fushata për mbledhjen e fondeve, në lidhje me gjobat ndaj Xhakës dhe Shaqirit, mund të konsiderohej e tillë, vetëm nëse do të fillohej nga disa tifozë dhe të mbetej në të nivel, por jo të shndërrohet në një kampanjë tash politike, prej kryeministrave, ose presidentëve, deputetëve e ministrave, që të mblidhen fonde për të paguar një gjobë e cila më vetvete është një lloj racizmi ndaj shqiptarëve”, thotë Zogaj.

Edhe pse vendimin e quajnë të padrejtë, qytetarët thonë se janë plotësisht dakord që të dhurojnë para për të paguar këtë dënim.

Albana Hoti thotë për Radion Evropa e Lirë se përmes grumbullimit të parave, duhet t’i tregojmë FIFA-s që vendimi ishte i padrejtë.

“Sigurisht që po, me shumë qejf. Edhe iniciativa ka qenë shumë e mirë veç për t’i treguar ndoshta FIFA-s që nuk ka qenë e drejtë karshi lojtarëve të Zvicrës. Përndryshe, aspak nuk kam qenë e kënaqur me atë që FIFA e ka shqiptuar ndaj tyre”, thotë Albana Hoti.

Festimi me simbolin e shqiponjës, sipas Fadil Sertollit, është pjesë e identitet të futbollistëve shqiptarë dhe një gjë e tillë nuk mund të ndalohet as nga FIFA, derisa shprehet i gatshëm për të ndihmuar Xhakën e Shaqirin.

“Patjetër që po. Meqë janë dënuar për flamurin, kuptohet që ne për flamurin edhe kemi luftuar se lërë më të paguajmë para”, thotë Sertolli.

Jo të gjithë qytetarët pajtohen që të mblidhen para për të paguar këtë dënim. Driton Berisha thotë se këto para më mirë do të ishte të mblidheshin për njerëz në nevojë.

“Do të isha në gjendje nëse atyre do t’iu duheshin këto para, por më mirë do të ishte sikur t’i mbledhim për bamirësi ose për njerëz në nevojë, për sëmundje të ndryshme. Këtë nuk e shoh të arsyeshme”, thotë Berisha.

Të çuditshëm dhe të papritur e quan vendimin e FIFA-s juristi kosovar i sportit, Armend Kelmendi.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë, se festimi i golave me anë të një simboli kombëtar, nuk mund të dënohet.

“Jam befasuar me faktin se si FIFA ka mundur të përpilojë apo të argumentojë se si këto festime janë kundër rregullave ose mund të shqiptohen dënime sipas rregullave disiplinore të FIFA-s, dhe për mua ka qenë e vështirë ta kuptoj se si një gjë e tillë ka ndodhur. Mirëpo, mund të them se nuk ka asnjë rregull kundër shfaqjes së një simboli të tillë që është paraparë nga rregulloret e FIFA-s, për shkak se nuk mund të jetë e tillë, për vetë faktin se FIFA shfaq flamujt e vendeve para së cilës ndeshje”, thotë Kelmendi.

Zvicra mposhti të premten Serbinë në kuadër të grupit E në Kampionatin Botëror të Futbollit që po zhvillohet në Rusi.

Dy shqiptarët, njëri nga Prishtina e tjetri nga Zhegra, i dhuruan fitoren Zvicrës me golat e shënuar në pjesën e dytë.

Nuk paguhen me para emocionet që na i sollën Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, kur festuan me shqiponjë, pas golave të…

Gepostet von Bajram Hasani am Montag, 25. Juni 2018

MOS KINI FRIKE NGA SHQIPONJA është emri i llogarisë bankare ku gjithkush mund të japë një kontribut simbolik, për të…

Gepostet von Edi Rama am Dienstag, 26. Juni 2018

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme