Marrëveshja e Prespës është rast unik për pajtim dhe mbyllje të kontestit dydekadësh mes Shkupit dhe Athinës dhe ky rast mund të mos përsëritet më, porosit përfaqësuesja e lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini në intervistë për MIA-n.
Nesër do të kuptohet nëse ekziston shumicë e nevojshme në Kuvendin e Maqedonisë për implementimin e Marrëveshjes së Prespës. Cila është porosia juaj në këtë moment?
“E kam pasur privilegjin të marr pjesë në firmosjen e Marrëveshjes mes kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras në qershor pranë Liqenit të Prespës. Të dy palët treguan guxim politik, lidership, përgjegjësi dhe punuan pa lodhje që t’i tejkalojnë dallimet dhe problemet e vjetra dhe ta arrijnë këtë marrëveshje historike të cilën tërë Evropa e përshëndeti.
Tani ka procedura nacionale për implementimin e marrëveshjes që zhvillohen në të dy anët dhe kjo duhet të mbrohet dhe respektohet. I kuptoj ndjeshmëritë dhe prapavinë historike komplekse të kontestit, si dhe brengat e shprehura. Kontesti nuk ka ekzistuar aq gjatë pa arsye, megjithatë siç u pamë në të kaluarën, sa më shumë kohë që kalon, aq më rëndë është të gjehet zgjidhje. Procesi negociues duhet të ketë qenë i dhimbshëm dhe rezultati është një kompromis. Por, është kompromis me të cilin me sukses plotësohen interesat kyçe të të dy palëve. Pozita jonë është e qartë: BE-ja tërësisht e përkrahë marrëveshjen e arritur. Kjo është mundësi unikate për pajtim të Ballkanit Perëndimor i cili mund të mos përsëritet. Shpresoj se të gjitha palët do ta kapin këtë moment dhe se do të sigurojnë të ardhme në BE për vendin, të ardhme të cilën gjithë kombi e shpreson me vite që të bëhet realitet.
Rezultati pozitiv a do të thotë përshpejtim i procesit të zgjerimit?
“Pajtimi, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore luajnë rol kyç në angazhimin tonë në Ballkanin Perëndimor dhe është parim kyç i procesit të zgjerimit, ashtu që zgjidhja e kontestit të tillë të rëndë është nga vlera e madhe për rajonin dhe rast për përparim në rrugën drejt BE-së. Nëse momenti shfrytëzohet me mençuri që të përparohet në reformat të cilat nevojiten, atëherë para nesh është një progres i rëndësishëm. Vendet-anëtare e hapën rrugën për fillim të negociatave në qershor të këtij viti, në bazë të kushteve të qarta. Kjo është pjesë e angazhimit tonë të fuqishëm në rajon, i cili është nga interesi për të gjithë, edhe për vendet anëtare dhe rajonin.
Nëse Marrëveshja kalon do të sjellë më shumë stabilitet në rajon?
Marrëveshja e arritur historike mund të kontribuojë për transformim të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ruajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore na ndihmon të punojmë së bashku që të ballafaqohemi me shumë sfida dhe momente të cilat i ndajmë, duke përfshirë fusha të tilla si migrimi. Kriza e refugjatëve tregoi se luftërat të cilat fillojnë larg Brukselit ose Shkupit mund të kenë impakt, më herët ose më vonë, në Evropë. Ballkani Perëndimor është në zemrën e Evropës, ne jemi të varur reciprokisht. Besoj se së bashku mund të arrijmë shumë për prosperitetin, sigurinë dhe stabilitetin e popujve tanë.