Molliqaj: Akuzat e Thaçit e Veselit se Vetëvendosja qëndron prapa “Syrit të Popullit”, të ulëta e të papranueshme

Prishtinë | 29 Dhj 2018 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se akuzat pa as edhe një fakt të vetëm që vijnë nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli se kinse Vetëvendosja qëndron prapa organizatës ”Syri i Popullit”, janë të ulëta dhe të papranueshme.

“Për më shumë, janë shpifje që e thellojnë edhe më shumë përçarjen e spektrit politik në vend, pikërisht tash kur të gjithë duhet të jemi të bashkuar përballë Serbisë. Nuk na duhen shpifje të tilla por as viktimizim. Na duhet përbashkim e pjekuri politike. Vetëm kështu e dëshmojmë se sa e duam vendin tonë”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Dje presidenti Hashim Thaçi në cilësinë e dëshmitarit në seancën gjyqësore ndaj “Syrit të Popullit”, ka implikuar liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën si udhëheqës të, siç ka thënë ai, ndërmarrje vrasëse.

“E kam dëgjuar me veshët e mi në seancën në Kuvend një herë Glaukun e pastaj Albinin se këta persona duhet me i vra, përndryshe nuk i heqim nga pushteti”, ka thënë Thaçi.

Thaçi është ankuar se ai dhe familja e tij janë lënduar që emri i tij ka qenë në listën për likuidim të grupit “Syri i popullit”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme