Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj u ka reaguar ashpër krerëve të partive opozitare. Memli Krasniqit të PDK-së e Lumir Abdixhikut të LDK-së.
Sipas tij Krasniqi dhe Abdixhiku janë bërë pjesë e lojës së kryeministrit, Albin Kurti për të mos treguar përmbajtjen e draftit të Asociacionit të propozuar nga BE dhe SHBA.
Postimi i plotë:
Tregojeni draftin Lumir e Memli!
Drafti po fshihet sepse drafti po dihet. Kështu do të thoshte kryeministri në një tjetër kohë dhe nga një tjetër pozicion. Do të kishte të drejtë sepse mungesa e transparencës nuk është thjesht fshehje e informatës. Është përmbajtja problematike e lajmit, arsyeja e fshehjes.
Dialogu që ka udhëhequr Kurti është më i mbylluri dhe më i fshehti. Po na rezulton edhe më i dëmshmi. Edhe sanksione edhe Asociacion. Sa më shumë sekrete aq më shumë dëme. Drafti tashmë është pranuar, pse nuk zbulohet?!
Puna e fshehtë është mënyra e kryeministrit. Pjesë e kësaj loje janë bërë edhe Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku. Ata jo thjesht kanë abstenuar nga çfarëdo kundërshtimi. Po i shërbejnë Kurtit edhe në menaxhimin e opinionit publik. Marrëveshjen e din Kurti, mbase Besnik Bislimi; e kanë parë edhe liderët opozitarë, askush tjetër.