Deputeti i PSD-së Dardan Molliqaj në një intervistë për gazetën “Zëri” ka deklaruar se partia e tij ka strategjinë për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” dhe për shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme brenda 6 muajve, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Partia Socialdemokrate (PSD) ka strategjinë për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” dhe për shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme brenda 6 muajve, përkatësisht deri në fund të këtij viti. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për “Zërin” deputeti i kësaj partie Dardan Molliqaj.
Megjithatë për të pasur sukses një strategji e tillë Molliqaj pranon se nevojitet ndihma e LDK-së, e ish-partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje dhe e Alternativës.
Përderisa për kryeministrin Haradinaj ka thënë se për shkak të skandaleve të shumta nuk e meriton të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, për kryeparlamentarin Kadri Veseli thotë se duhet të japë dorëheqje pas aferës së “Fajdeve”.
Deputeti i PSD-së nuk ka lënë pa kritikuar edhe presidentin Hashim Thaçin në këtë intervistë për “Zërin”, duke thënë se i pari i vendit nuk ka kontribuuar në kauzën për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pavarësisht deklaratave të tij të fundit.