Molliqaj: Kurti për të ardhur në pushtet e përdorte emrin e Murat Jasharit

Prishtinë | 14 Jan 2021 | 20:32 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka kritikuar marrëveshjen mes VV-së dhe Vjosa Osmanit për shkrirje në një listë.

Molliqaj thotë se në atë pikë nuk përmendet askund lufta e UÇK-së, ndërkohë që krerët e saj po përballen me akuza nga Gjykata Speciale.

“Zotimet kundër UÇK-së dhe kundër historisë tonë. Zotimet e nënshkruara sot në mes të Kurtit dhe Osmanit nuk janë asgjë më shumë se zotime për ndarje të pushtetit: njëri kryeministër, tjetra presidente. As edhe një fjalë në këtë marrëveshje për luftën tonë çlirimtare apo për historinë e vendit tonë. Në kohën kur çlirimtarët tanë po përndjeken padrejtësisht nga Gjykata Speciale, Kurti-Osmani nuk e përmendin as edhe njëherë UÇK-në në marrëveshjen e tyre. Përkundrazi, shpërfaqin indiferencë të skajshme, thuajse kjo çështje nuk meriton as të përmendet fare”, shkroi ai.

Molliqaj po ashtu kritikoi liderin e VV-së, Albin Kurti për deklarat e mëparshme për presidentin. Ai thotë se Kurti nuk po u qëndron parimeve ndërkohë që po përdorë cdo mjet për të ardhur në pushtet.

“Kurti, i cili për të ardhur në pushtet e përdorte emrin e Murat Jasharit për president të ardhshëm të vendit, duke e elaboruar këtë si nevojë të vendit e jo të veten personale, sot e nënshkroi të kundërtën. Ai e rikonfirmoi sot edhe njëherë se nuk ka besime apo vlera që don t’i shtyej përpara, por ka vetëm mjete të cilat i përdorë për të ardhur në pushtet.

Sot Kurti po thotë që çlirimtarët nuk na duhen më. Sot Kurtit nuk i duhet Murat Jashari për të ardhur në pushtet. Sot, atij i duhet Vjosa. Prandaj, hoqi dorë nga familja Jashari.”, shtoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme