Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj i ka quajtur “zagarë” nënkryetarin e PDK-së, Uran Ismailin dhe anëtarin e Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahirin.
Sipas Molliqajt, Uran Ismaili është “zagar” i Kadri Veselit, ndërsa Abelard Tahiri, siç thotë ish-sekretari i VV-së, është zagar i Hashim Thaçit.
“Prej panikës së humbjes, Kadri Veseli përmes zagarit të tij Uran Ismailit, dhe Hashim Thaçi përmes zagarit tjetër Abelard Tahirit, qenkan lëshu me lehje e shpifje ndaj meje”, ka thënë Molliqaj.
Por, Molliqaj ka thënë se “hajnat dhe kriminelët” do të përfundojnë në burg.
“Por këto lehje nuk mund ta ndryshojnë një fakt të thjeshtë: hajnat e kriminelët do të përfundojnë në burg”, ka deklaruar ai.
E Molliqaj dhe Ismaili janë përplasur sot me njëri-tjetrin.
Derisa i është përgjigjur akuzave të nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, për kërcënimin, që sipas Ismailit, Molliqaj po ua bën gjyqtarëve që po i mbajnë nën arrest shtëpiak aktivistët e VV-së, ish-sekretari i VV-së ka drejtuar akuza sot kundër kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit.
Molliqaj ka thënë se Veseli bën korrusion me gjyqtarët në Kosovë.
“Uran Ismaili, nënkryetari i PDK-së që është rritur në prehrin e Kadri Veselit, më paska akuzuar sot se po i kërcënoj gjyqtarët që po i mbajnë nën arrest aktivistët tanë të pafajshëm. Gjyqtarët që shefi i tij Kadri Veseli i mbanë në xhep përmes kërcënimeve e korrupsionit. Ashtu siç e mban në xhep Uranin përmes bizneseve të pista që ai ia drejton Veselit”, ka thënë Molliqaj.
Nënkryetari i PDK-së, Ismaili po ashtu e kishte quajtur “kriminale” deklaratën e Molliqajt ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa ka theksuar se Molliqaj është promovues politik i grupeve kriminale.
“Të kërcënosh me emër dhe mbiemër prokurorët edhe gjyqtarët, kjo nuk është politike, por kriminale. Kjo taktikë është përdorë edhe nga shumë grupe të krimit të organizuar anekënd botës. Ato grupe kriminale kanë paguar pare për këtë metodologji, kurse ti i promovon në politikë”, kishte thënë Ismaili, një ditë më parë.
Ky reagim i nënkryetarit të PDK-së kishte ardhur pas akuzave të rënda të Molliqajt ndaj gjyqtarit Beqir Kalludra dhe prokurorit Abdurrahim Islami.
“4 aktivistët e Lëvizjes ende po mbahen në arrest shtëpiak, pa asnjë faj dhe pa asnjë kuptim. Gjykatësit Beqir Kalludra dhe prokurorit Abdurrahim Islami asnjëherë nuk do t’ia falim persekutimin politik që po ua bëjnë aktivistëve tanë!”, kishte thënë ndër të tjera ish-sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.