Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka pritur sot në takim koordinatorin për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Skender Hysenin.
Në këtë takim Molliqaj ka njoftuar se është informuar nga Hyseni për dialogun, ndërsa ka thekësuar se janë pajtuar që marrëveshjet e pjesshme nuk janë rruga përpara.
Njoftimi i plotë:
Sot jam takuar me z.Skënder Hyseni, koordinator për dialogun Kosovë-Serbi. Informimi dhe transparenca e procesit ka rëndësi të veçantë, prandaj dua ta falemnderoj z.Hyseni për takimin.
Jemi pajtuar që marrëveshjet e pjesshme nuk janë rruga përpara. Kosova shkon në dialog për njohje reciproke. Vazhdimi i procesit nuk ka kuptim nëse nuk e dimë qysh tash se epilogu është njohja e ndërsjellë.
Ne jemi të bindur se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë nuk mund të marrë formë dhe garancë zbatimi pa përfshierjen e ShBA-ve në këtë proces. Po ashtu, Kosova duhet të ketë kujdes që aranzhimet e saj në marrëveshje të mos e thellojnë ndarjen etnike që tashmë ekziston me Listën Serbe. Kështu nuk zgjidhet, por përjetësohet problemi.
Ne jemi të bindur se vazhdimi i status-quos nuk është në interes të vendit dhe qytetarëve.
Problemet e pa kryera janë probleme edhe për të ardhmen. Për më tepër, aleancat politike, por edhe gjeopolitika e vitit 99’ më nuk ekziston. Qëndrimet karshi dialogut ka kohë që nuk lidhen me procesin si të tillë, por me llogaritë e brendshme politike, respektivisht akuzat plot patos e hiq kritikë për mbledhje votash.
Guxim dhe progres sot përbën gatishmëria për të ecur drejt shkëputjes përfundimtare. Oportunizëm është llogaritja elektorale dhe fshehja pas popullizmit të brendshëm. Vetëm shkëputja përfundimtare hap rrugë për një marrëdhënie të re midis popujve. Kjo shkëputje është historike jo thjesht sepse zgjidhet problemi Kosovë-Serbi. Popujt e Ballkanit do të jenë më të lirë kur problemet midis tyre të zgjidhen. Kështu i jepet fund gjeopolitikës së perandorive që ndërhyjnë në mënyrë jodemokratike pikërisht sepse gjejnë terren tek problemet e hapura.