Anëtari i PSD’së, Dardan Molliqaj, ka komentuar iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje për votimin e Projektbuxhetit për vitin 2021 në lexim të dytë, përgjatë seancës së mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës.
Molliqaj, i ftuar në emisionin ‘Pressing’ në T7, ka deklaruar se Vetëvendosje e ka shfrytëzuar votimin e buxhetit për vitin e ardhshëm për poena politik, pa e rishikuar atë, shkruan Gazeta Express.
“Po të mos kishte shpalle të zgjedhjeve nga Gjykata Kushtetuese, Vetëvendosje nuk do të votonte buxhetin edhe sikur të kishte nevojë jetike. Ata nuk e kanë problem nëse buxheti është nda drejtë ose jo. Në momentin që kuptuan që mund të ketë edhe një troh përfitimi, atëherë u kthye në taktikë të tyre për përfitim”, ka deklaruar ai.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 85 vota pro, asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër, kanë votuar Projektbuxhetin e vitit 2021 në seancën e mbajtur sot.
Pjesë e votimit ishin edhe deputetët nga opozita, respektivisht përfaqësuesit në Kuvend të PDK’së dhe Vetëvendosjes.