“Momenti i së vërtetës” liderët e botës mblidhen në Skoci për samitin e klimës

Prishtinë | 31 Tet 2021 | 18:15 | Nga Ekonomia Online

Qyteti skocez Glasgow është gati për të mirëpritur liderët e botës në samitin e shumëpritur COP26 për ndryshimet klimatike.

Delegatët e 200 shteteve do të jenë aty për të njoftuar se si do të kufizojnë emetimet e gazrave të dëmshëm deri në vitin 2030 dhe të ndihmojnë planetin. Me ngrohjen e botës për shkak të emetimeve të karburanteve fosile të shkaktuara nga njerëzit, shkencëtarët paralajmërojnë se nevojitet veprim urgjent për të shmangur një katastrofë klimatike.

 “Për sa i përket mesazheve kryesore që po dalin, mendoj se të gjithë e pranuan se Glasgow do të jetë një pikë kritike për vendosjen e ambicieve në këtë dekadë vendimtare. Së pari mendoj se ka konsensus që duhet të bëjmë më shumë për sa i përket kufizimit të rritjes së temperaturës globale në 1.5 gradë celsius”, deklaroi Alok Sharma, presidenti i COP26. raporton A2news.

Kryeministri britanik tha se samiti do të jetë “momenti i së vërtetës për botën”. 

“Ky samit mund të jetë tepër i vështirë dhe jam i shqetësuar pasi mund të shkojë keq dhe mundtë mos marrim marrëveshjet që na duhen”, deklaroi Boris Johnsson.

Në ditën e parë të samitit për klimën do të prezantohet një raport i Organizatës Botërore të Meteorologjisë, në të cilin do të krahasohet niveli i temperaturës globale të këtij viti me vitet e kaluara. Gjithashtu do të theksohet alarmi se ndryshimet klimatike po intensifikojnë motin ekstrem me valë të të nxehtit, përmbytje dhe zjarre në pyje.

Ndërkohë, përpara mbërritjes së liderëve, Skocia është pushtuar nga aktivistë të shumtë, të cilët kanë nisur me manifestimet e shumta në kërkim të veprimeve konkrete për luftimin e ndryshimeve klimatike.

Të ngjashme