Autoritetet komunale dhe banorët kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve në Luginën e Lumëbardhit me arsyetimin se ato do ta dëmtojnë mjedisin dhe lumenjtë.
Ndërsa Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ende nuk ka ndonjë qëndrim të prerë se si do të veprohet në raport me planet për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në trevën e Luginës së Lumëbardhit (Zhupës) të Prizrenit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas drejtuesve të kësaj ministrie, aktualisht ka një moratorium për hidrocentralet, pasi që një komision po i trajton lejet dhe kërkesat dhe se varësisht nga gjetjet do të merret një vendim rreth kësaj çështjeje.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të MMPH-së, Fatmir Matoshi ka deklaruar se “për hidrocentralet aktualisht është një moratorium” .