Sipas Valon Asanit, dërgimi i parave dhe jo i investimeve ose njohurive, vetëm sa i shndërron në parazitë kosovarët. “Unë i kam bindur edhe familjarët që të mos dërgojnë para atje”, thotë ai.
Transmetuesi publik i Zvicrës, SRF ka publikuar një bllok intervistash me të rinj të suksesshëm shqiptarozviceranë, të përmbledhura nën titullin e përbashkët “Heimatliebe im Umbruch” (Atdhedashuria në tranzicion). Përmes tyre, brezit të ri të shqiptarëve të Zvicrës i bëhet një “radiografi” lidhur me ndryshimin e qasjes së këtij brezi ndaj atdheut (tashmë) të prindërve të tyre, Kosovës.
Intervistave i ka paraprirë një emision radiofonik i cili është ematuar ditë më parë, në të cilin bëhet përpjekje për të përshkruar ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës, te diaspora kosovare e Zvicrës.
“Dërgimi i parave, për mua nuk shtrohet si çështje”, thotë për srf.ch afaristi i ri Valon Asani, i cili nga Zvicra ka hapur një biznes të suksesshëm IT në Prishtinë, transmeton albinfo.ch. Dhe ky pohim i tij e përshkruan më së miri ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës të të rinjve me prejardhje nga Kosova, të lindur ose të rritur në Zvicër.
Sipas Asanit, dërgimi i parave dhe jo i investimeve ose njohurive, vetëm sa i shndërron në parazitë. “Unë i kam bindur edhe familjarët që të mos dërgojnë para atje”, thotë Valon Asani.
Ndërsa pyetjes përse ka vendosur që pikërisht në Prishtinë të krijojë një firmë ai i është përgjigjur: “për mua ishte e natyrshme të shkoja në Kosovë dhe të investoja atje. Nga njëra anë, pasi që prindërit e mi janë nga Kosova dhe nga ana tjetër, për shkaqe ekonomike. Kosova ka popullatën më të re në Evropë, e ka euron si valutë dhe fuqinë punëtore, me çmim relativisht të volitshëm. Edhe taksat janë shumë të ulëta. Nisur nga këto, nga Kosova ke një qasje shumë të mirë dhe me IT-Outsourcing mund të bëhen biznese të mira me Zvicrën. Unë krijoj vende pune dhe i mbështes kështu bashkatdhetarët e mi”, thotë tjerash Valon Asani.
Ai po ashtu nënvizon se themelimi i një ndërmarrjeje në Kosovë bëhet brenda dy deri tri ditëve dhe mbështetja nga shteti për këtë veprim është pa pagesë, përcjell albinfo.ch. Qasja ndaj investitorëve në Kosovë, thotë ai, është bërë shumë e mirë ndërsa nuk ka qenë kështu në vitin 2011 kur Valoni ka nisur biznesin e tij atje. Por, edhe fare pa vështirësi, nuk është, thekson ai. Nëse dëshiron të punësosh punëtorë të kualifikuar, duhet të investosh vetë goxha shumë për t`i sjellë ata në nivelin që në Zvicër konsiderohet normal”.
Asani thotë se në Kosovë ka shkruar si fëmijë me prindërit për pushime, ndërsa me rritjen e tij, Kosova ka filluar t`i bëhej një vend pak a shumë i huaj. Kjo ka ndryshuar pastaj në kohën kur ai ka vendosur të investojë atje.
Lidhur me atë nëse është përparësi të investosh në Kosovë nëse je me prejardhje nga atje, ai thotë se sigurisht, njohja e gjuhës është një përparësi. “Por shumë njerëz atje flasin anglisht ose gjermanisht, kështu që mund të komunikosh pa problem në këto dy gjuhë dhe të investosh me sukses në Kosovë, pa pasur prejardhje nga atje.
Albana Agaj, një aktore e njohur në Zvicër, me prejardhje nga Kosova në intervistën për srf thotë se “te shqiptarët në Zvicër konstaton një ngecje”, transmeton albinfo.ch. Duke synuar të bëhet një lloj altoparlanti për ata që në konfliktin mes kulturave nuk e kanë një zë të tyrin, ajo në skenë vë rrëfimin për një vajzë të re shqiptare e cila kërkon azil në Zvicër. “Kërkesa për azil i refuzohet por një nëpunës dashurohet në të. Kështu, bëhet irelevante se prej nga vjen ajo dhe çfarë bën në Zvicër. Ajo që dëshirohet është vetëm takimi (me të). Dhe, ky është një konflikt i bukur”, shprehet Agaj.
Ndërkaq, ajo që Albana ka parë në aspektin e zhvillimit kulturor te shqiptarët në Prishtinë e ka shtyrë të mendojë se “shumë shqiptarë në Zvicër janë në një fazë ngecjeje”. Lidhur me bashkatdhetarët në Prishtinë ajo thotë se janë kozmopolitë, nuk janë statikë por lëvizin. Prishtina është një “super” qytet me njerëz të mrekullueshëm, me shumë të rinj., përcjell albinfo.ch, Atje ka femra me vetëbesim dhe të emancipuara, ashtu si dhe punëtorë të mrekullueshëm të teatrit, të cilët punojnë shumë për pak para. Ata duan ta çojnë përpara këtë vend dhe këtë qytet. Ndërkohë, te shumë shqiptarë në Zvicër unë konstatoj një ngecje. Të rinjtë shqiptarë në Zvicër ende nuk janë çliruar plotësisht nga traditat. Por ata nuk martohen më në moshën 20 vjeçare, transmeton albinfo.ch.. Ata ndjehen si shqiptarë por kanë një idnetitet të përzier, janë në kërkim e sipër, në një zonë tranziti.
Lidhur me qasjen e saj me Kosovën, Albana thotë: “Vendi më është bërë sërish atdhe. Unë shkoj me shumë dëshirë atje, para së gjithash në Prishtinë. Kjo është dashuria.
SRF ka intervistuar edhe gazetarin e “Tages Anzeiger”, Enver Robellin, si një personalitet me qasje në të dyja kulturat dhe arkitektin po ashtu të pranishëm në Zvicër dhe në Kosovë, Bujar Ndrecaj. /albinfo.ch/