Këshilli i Prindërve të Prishtinës (KPP) ka reaguar mbi situatën e krijuar në lidhje me mos shpërndarjen e librave shkollorë për nxënësit.
Ky këshill ka mbajtur një mbledhje gjatë ditës së sotme, ku temë diskutimi ka qenë “Gjendja e krijuar në shkollat e komunës për sistemin arsimor fillor dhe të mesëm të ulët lidhur me mos shpërndarjen e librave nëpër shkolla”.
Ky këshill ka shprehur shqetësimin e të gjithë prindërve të kryeqytetit për gjendjen e krijuar pas deklaratës së ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se këtë vit nuk do të ketë shpërndarje të librave për nxënësit e nivelit të klasave I-IX, ashtu siç ka qenë traditë e aplikuar në Kosovë për vite me radhë.
KPP shpreh brengën e thellë dhe ka mëdyshje në propozimin publik të ministres, për të aplikuar ‘metodën e rimbursimit’, që është e panjohur dhe e pa testuar paraprakisht, dhe si rrethojë mund të jetë e dështuar që në fillim”, thuhet në reagimin e tyre, transmeton Klankosova.tv.
Sipas tyre, kjo metodë mund të dështojë kur dihet se shumë prindër nuk kanë llogari në platformën e-Kosova, apo edhe kanë probleme me përdorimin dhe qasjen në pajisje të TI-së.
“Po ashtu, problem tjetër i identifikuar, është mos posedimi i llogarive bankare nga shumë prindër, dhe probleme të tjera që lidhen me kredi, apo procese përmbarimore”, thuhet tutje në reagimin e KPP-së.
Ata kanë kërkuar nga ministrja Nagavci që të gjejë zgjidhje të shpejtë dhe praktike në sigurimin e librave shkollorë para fillimit të procesit mësimor, 1 shtatorit.
“Nëse nuk sigurohen librat me kohë nga Ministria e Arsimit sikur vitet paraprake, Këshilli i Prindërve të Prishtinës do të shqyrtojë veprime tjera konform situatës së krijuar”, ka deklaruar KPP.