Moska kërcënon me armë bërthamore dhe luftë të tretë botërore: NATO ndërhyri në konflikt

Prishtinë | 26 Pri 2022 | 12:05 | Nga Ekonomia Online

Moska thotë se është efektivisht në luftë me NATO-n dhe ka paralajmëruar se armët perëndimore po ndezin konfliktin në Ukrainë.

Duke folur në ditën e 61-të të luftës, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se dërgesat e vazhdueshme të furnizimeve dhe armatimit në Ukrainë do të thotë se aleanca e NATO-s e ka pozicionuar veten si “në thelb të angazhuar në luftë me Rusinë” dhe akuzoi organizatën për “hedhjen e naftës në zjarr”, raporton SkyNews.

Diplomati foli gjithashtu për një lufte të tretë botërore dhe tha se kërcënimi i një konflikti bërthamor “nuk duhet të nënvlerësohet”.

Lavrov tha se armët nga vendet perëndimore “do të jenë një objektiv legjitim”, duke shtuar se forcat ruse kishin goditur tashmë depot e armëve në Ukrainën perëndimore.

Ai akuzoi liderët ukrainas se provokuan Rusinë duke i kërkuar NATO-s të përfshihej në konflikt. Lavrov vazhdoi: “NATO, në thelb, është përfshirë në një luftë me Rusinë”.

“Lufta do të thotë luftë”

Komentet e tij erdhën pasi u njoftua se SHBA-ja do të ndajë 713 milionë dollarë të tjera ndihmë ushtarake – por që kjo nuk do t’i shkonte drejtpërdrejt Ukrainës, por anëtarëve të NATO-s.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres është planifikuar të vizitojë Rusinë sot dhe Ukrainën në fund të kësaj jave.

Guterres, i cili ka bërë presion për një armëpushim humanitar në Ukrainë, do të takohet sot me Vladimir Putin në Moskë dhe më pas me Volodymyr Zelenskyy të enjten.

Qyteti i Mariupolit, i cili është dëmtuar rëndë gjatë luftës, do të përfshihet në bisedimet në Moskë. Më parë, Lavrov kishte pohuar gjithashtu se ekzistonte një rrezik “i konsiderueshëm” që konflikti të përshkallëzohej në armë bërthamore.

Megjithatë, Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba i hodhi poshtë komentet si bravado, duke shkruar në Twitter pas intervistës së Lavrov: “Kjo vetëm do të thotë se Moska e ndjen humbjen”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme