Edhe këtë të shtune pritet një protestë e radhës nga serbët në veri të Mitrovicës për të kundërshtuar taksën 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe.
Në këtë protestë është paralajmëruar ardhja e këngëtares serbe, Svetlana Raznatovic e njohur si Ceca, për të mbajtur një koncert në përkrahje të serbëve të Kosovës, njofton Klan Kosova.
Koncerti do të mbahet para konvikteve studentore në Mitrovicën e Veriut dhe pritet të fillojë në orën 12:00.
Ndërkaq, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, iu ka kërkuar institucioneve të sigurisë të marrin masat e duhura, nëse ky organizim bëhet për qëllime të këqija dhe nxit grupacione.
Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka dhënë përgjigje nëse Raznatoviq ka aplikuar për leje qëndrimi në Kosovë.
Përgjigje për këtë çështje s’ka dhënë as ministria e Punëve të Brendshme.