Ministria e Punëve të Jashtme përgënjeshtron raportimet e mediave serbe për të ashtuquajturën ‘Listë të Zezë’ dhe ekzistimin e ndonjë vendimi nga ana e Institucioneve të Republikës së Kosovës, nëpërmjet së cilës i ndalohet hyrja apo vizitat eventuale në territorin e Republikës së Kosovës zyrtarëve më të lartë të shtetit fqinj – Serbisë.
Në komunikatën për media, Ministria e Punëve të Jashtme rikujton se për dallim nga praktikat e hartimit të “Listave të Zeza”, dhe “personave të padëshiruar” nga shteti fqinj, që kanë përfshirë, por nuk janë kufizuar vetëm në ndalimin dhe moslejimin e hyrjes në territorin e tyre të sportistëve, artistëve, akademikëve, shtetasve ordiner, që kanë vizituar të afërmit e tyre dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetëror nga Republika e Kosovës, Institucionet e Kosovës kanë zbatuar në frymë dhe në shkronjë Marrëveshjen e Brukselit, e cila specifikon në mënyrë të qartë se si zhvillohen vizitat e zyrtarëve të lartë në të dyja shtetet respektive.
MP shpreh keqardhje të thellë, që mediat në shtetin fqinj edhe dy dekada pas përfundimit të luftës, vazhdojnë të publikojnë lajme të rreme, që burojnë nga politika propaganduese e pushtetit në Serbi, duke shkelur seriozisht parimet themelore të profesionit që tyre për raportimin e lajmeve të vërteta, të sakta, të pavarura, të paanshme dhe profesionale.
Gazeta beogradase “Novosti” ka shkruar sot se “para aplikimit të taksës drakonike doganore për hyrjen e mallrave nga Serbia në territorin e Kosovës, autoritetet e Prishtinës më 1 nëntor kanë marrë vendim që zyrtarëve më të lartë të Beogradit t’u ndalohet kalimin nëpër vendkalimet kufitare në mënyrë që të mos hyjnë në Kosovë”.
“Lista e personave të padëshiruar në Kosovë është shpërndarë në të gjitha pikat e kontrollit të policisë në vendkalimet, duke vënë në dukje se do të arrestohen menjëherë nëse paraqiten në ndonjërin nga vendkalimet kufitare”, ka shkruar gazeta serbe.
Sipas kësaj gazete, “në listën që e ka parë ky medium janë në zyrtarët serbë, duke filluar me kryeministrja Ana Brnabiq, pastaj ministrat e qeverisë dhe krerët e Parlamentit të Serbisë, duke përfshirë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme”.