Më në fund kemi lajme të mira dhe pamje që të ngrohin zemrën nga Dajana Kalo.
Modelja 25-vjeçare, të cilën të gjithë e fiksuam si protagonistja bukuroshe në videoklipin e hitit “Zili Zili” nga Dafina Zeqiri, po tregon një vullnet të hekurt.
Së fundmi, në TikTok ka filluar të qarkullojë një video emocionuese nga klinika e fizioterapisë ku ajo po trajtohet.
Në këto pamje, Dajana shihet e ngritur në këmbë, duke ushtruar hapat dhe ekuilibrin me ndihmën e profesionistëve. Ky është një hap i madh dhe një progres i jashtëzakonshëm që tregon se ajo po e fiton dita-ditës betejën e saj me shëndetin, shkruan prive by LS.
Kujtojmë se në fillim të këtij viti, rrjeti u trondit kur u mësua se modelja pësoi një hemorragji cerebrale për shkak të një keqformimi arteriovenoz, i cili i shkaktoi paralizë në anën e djathtë të trupit.
Situata ishte tepër e rëndë, por fushata e hapur në GoFundMe nga motra e saj, Bora, bëri bashkë njerëz të thjeshtë dhe figura publike.
Fondet për operacionin dhe rehabilitimin u mblodhën në kohë rekord, duke dëshmuar një solidaritet masiv.
Tani, sakrifica dhe puna e palodhur po japin frytet e tyre. Ne mezi presim ta shohim Dajanën të rikuperuar plotësisht dhe po aq rrezatuese sa më parë.