MSA-ja mundësi e mirë për zhvillim ekonomik të Kosovës

Prishtinë | 20 Pri 2017 | 17:38 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas një viti të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) rezultatet janë të dukshme. Kjo marrëveshje i mundëson Kosovës qasjen e lirë në tregun e BE-së dhe zhvillim ekonomik përmes reformave që duhet të bëhen.

Kështu u tha në takimi i tretë të përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë që po mbahet në Parlamentin e Kosovës, ku po marrin pjesë edhe zyrtarë ndërkombëtarë si, Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Tonino Picula, kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian.

Deputeti Xhavit Haliti tha se institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë qenë të përkushtuara që t’i shtyjë proceset përpara, raporton Ekonomia Online.

“Procesi i integrimit kërkon konsensus të përbashkët politik dhe ne si komision jemi përkushtuar që të mos kemi përplasje politike, por të gjithë të angazhohemi që t’i tejkalojmë ato dhe t’i zbatojmë obligimet tona për ta shtyrë edhe qeverinë edhe këshillin për t’i quar proceset përpara”, tha ai.

“Ky është një takim që hap debat për çështjet që kemi arritur dhe këtu kemi të pranishëm edhe ministrat që deputetët t’i drejtohen atyre për të diskutuar për çështjet e kësaj marrëveshje”, tha Haliti.

Tonino Picula kryesues i delegacionit të Parlamentit Evropian, tha se Bashkimi Evropian mbështet politikën aktive të zgjerimit.

“E nisëm vitin e kaluar me një debat të thellë dhe me këtë rast shpresoj që do të përfshihemi në një bashkëpunim konstruktiv që do të kontribuojë në përfshirjen e Kosovës në integrimin në BE. Dua të vë në dukje që BE-ja mbështet politikën aktive të zgjerimit. Ne jemi krenar që të jemi pjesë e këtij procesi si partnerët tuaj në procesin tuaj të integrimit”, ka thënë ai.

Hoxhaj: Kosova e palëkundur në orientimin proevropian

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, tha se Republika e Kosovës si shteti më i ri është e pa lëkundur në orientimin e saj pro evropian në një kohë kur këto vlera po sfidohen anekënd Evropës.

“Sot dua t’iu ofroj një pasqyrë të përgjithshme që ndërlidhet me zbatimin e reformave të brendshme sa i takon MSA-së. Hyrja në fuqi e MSA-së ka mundësuar një dialog lartë të strukturuar në nivelin politik në Bruksel”, tha Hoxhaj.

“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të zbatuar agjendën evropiane të reformave. MSA-ja nuk është asgjë tjetër veçse një kornizë për të modernizuar politikën, ekonominë dhe shoqërinë. Mund të them se ne kemi shënuar një përmirësim të performancës së institucioneve të saja demokratike”, ka shtuar Hoxhaj.

Ai ka theksuar se integrimi i komuniteti serb mbetet një prioritet i madh, dhe u ka bërë thirrje deputetëve që mos t’i shërbejnë Beogradit si një instrument, por të punojnë për interes të komuniteti të tyre në Kosovë.

“Ne jemi të përkushtuar për të pasur një dialog të mirëfilltë politik dhe në kuadër të pikënisjes sonë për të harmonizuar politikën tonë të jashtme me atë të BE-së për të qenë krah edhe në politikat mbrojtëse të BE-së”, tha Hoxhaj.

“Janë tri vende që e kanë njohur Kosovën ditëve të fundit, kemi pasur edhe anëtarësime në disa organizata ndërkombëtare dhe për qeverinë e Kosovës ndër shqetësimet tona mbetet mosnjohja nga pesë vendet anëtare të BE-së. Mosnjohja e Kosovës nga këto vende ka krijuar një marrëdhënie komplekse në marrëdhëniet tona me BE-në”.

“Është e drejt legjitime që Kosova ta ketë ushtrinë e saj dhe ne kërkojmë nga ju që të na jepni mbështetje në integrimin e Kosovës në Interpol. Mungesa e liberalizimit të vizave është një shqetësim tjetër i joni dhe jemi mirënjohës për mbështetjen që na është dhënë në këtë drejtim dhe jemi të vetëdijshëm që Demarkacioni është kushti i fundit dhe i vetëm dhe ne po punojmë në mënyrë intensive që të arrijmë konsensus politik për këtë”, tha Hoxhaj.

Sa i përket dialogut ai tha se shqetësuese mbetet moszbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel siç është mos shpërbërja e strukturave paralele… “Si qeveri mbesim të përkushtuar që ta vazhdojmë dialogun dhe ky dialog duhet të ketë qëllime konkrete siç është njohja në mes dyja vendeve, dhe pa këtë qëllim dialogu për ne është i pakuptimtë”, tha Hoxhaj.

Ai tha se lëshimi i urdhërarresteve për liderët nga ana e Serbisë dhe ndalimi i Haradinajt është i pakuptimtë.

Apostollova: MSA-ja i mundëson Kosovës qasjen e lirë në tregun e BE-së

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalyia Apostollova, duke folur për MSA-në tha se një vit më parë MSA-ja hyri në fuqi dhe se BE-ja në mënyrë konsistente ka përcjellë këtë punë me mbështetje financiare dhe këshilla.

Ajo ka theksuar se kjo marrëveshje i mundëson Kosovës qasjen e lirë të tregut të BE-së.

“MSA-ja në mënyrë proaktive ofron mundësinë për të mundësuar zhvillimin ekonomik të Kosovës përmes reformave që duhet të bëhen. Që nga hyrja në fuqi e MSA-së asistenca jonë financiare për Kosovën është përkushtim i joni. Konsultimet publike dhe dialogu social janë qenësor. Detyra është që të punohet për një administratë publike të pavarur për të punuar për qytetarët e Kosovës”, tha Apostolova.

“Luftimi i ekonomisë joformale dhe efiçienca e energjisë janë punë që duhet të bëhen dhe këto mund të bëhen vetëm me koordinimin e Qeverisë, Kuvendit duke përfshirë opozitën dhe kjo është fundamentale”, tha Apostolova.

Ahmetaj: Anëtarësim në tri programeve të reja të BE-së

Ministrja për Integrime Evropiane, Mimoza Ahmetaj, tha se sa i përket MSA-së institucionet e Kosovës dhe BE-ja kanë zhvilluar tetë takime në kuadër të fushave të integrimit evropian dhe parashihet masa e zbatimit për çdo nen të zbatimit të MSA-së.

“Një zhvillim i rëndësishëm në kuadër të zbatimit të MSA-së është edhe lansimi i prioriteteve të ERA-s. Është planifikuar që në gjysmën e parë të vitit të mbahet takimi i parë në kuadër të arritjeve të procesit integrues. Qeveria ka marr vendimin për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Kosovës në tri programeve të reja të BE-së”, tha ajo.

“Kemi finalizuar negocimin e IPA 2017, jemi në negociata për përkrahjen e drejtpërdrejt buxhetore për reformën në Administratën Publike”, tha ajo.

Ndërsa në kuadër të procesit të liberalizimit, ajo tha se është arritur punë edhe me qëllim të fuqizimit të sundimit të ligjit, luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

Selimoviq: Liberalizimi do të ndodhë pas plotësimit të kushteve

Jasenko Selimoviq, anëtar i Parlamentit Evropian tha se bojkotimi i Parlamentit, bllokimi i punës kanë qenë shumë shqetësuese, por ka shprehur bindjen se do të ketë përmirësime.

Sa i përket Demarkacionit me Malin e Zi ai tha se kjo çështje ka shkaktuar probleme në mbarëvajtjen e punëve të Parlamentit.

“Kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë, sepse kjo po ja prish imazhin e Kosovës. Është në interes të qytetarëve të Kosovës që liberalizimi i vizave do t’ju ndihmojë. Pas përmbushjes së kushteve që ne kemi kërkuar nga ju liberalizimi i vizave do të ndodhë. Ju keni obligim dhe përgjegjësi t’ua shpjegoni qytetarëve pse nuk keni mundur t’i realizoni këto kushte”, ka thënë Selimoviq.

“Dikush foli për rreth 8 mijë hektarë, por më lejoni t‘iu them se mos zgjidhja e çështjes së demarkacionit është duke dëmtuar politikën tuaj më shumë se këta hektarë dhe Evropa është duke ju vëzhguar”, tha ai.

 

Të ngjashme