MSh-ja po zbaton rekomandimet e Auditorit, Ismaili thotë se po bëhen reforma rrënjësore

Prishtinë | 18 Qer 2019 | 11:05 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka pritur në një takim drejtoreshën e USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, me ç’rast kanë diskutuar për të gjeturat e Raportit të Auditimit si dhe sfidat dhe rekomandimet e mbetura, raporton Ekonomia Online.

Raporti për vitin 2018 mbi pasqyrat financiare vjetore tregon një progres rrënjësor të Ministrisë së Shëndetësisë në krahasim me vitet e fundit. Nga 27 rekomandime në vitin 2017, Ministria e Shëndetësisë ka përmbushur shumicën prej tyre, u tha pas takimit.

Kjo ka bërë që ZKA-ja të ndryshojë opinionin për Ministrinë e Shëndetësisë nga një opinion i kualifikuar (shkalla më e ulët e zbatimit) në 2017, në një opinion të pamodifikuar në vitin 2018 (shkalla më e lartë e zbatimit).

Kreu i MSH-së, Ismaili, në një konferencë për gazetarët, tha se kur kishte ardhur në krye të këtij dikasteri ai e ka gjetur këtë institucion në një gjendje kaotike dhe mjaftë shqetësuese, ndërsa tani MSh-ja ka arritur ta zbresë numrin e rekomandimeve nga Zyra Kombëtare e Audtimit (ZKA) nga 27 në 8.

“Kur kam ardhur si ministër kemi gjetur një situatë kaotike dhe shumë shqetësuese. Zyra Kombëtare e Auditimit kishte dhënë opinion të kualifikuar apo shkallën më të ulët për ministrinë e Shëndetësisë. Duke parë të gjeturat e auditorit të vitit 2017 jemi zotuar që të bëjmë ndryshime rrënjësore brenda vitit”.

“Dhe jam krenarë që numrin e rekomandimeve nga zyra Kombëtare për ministrinë e Shëndetësisë kemi arritur ta zbresim nga numri 27 në numër 8. Ky përmirësim i opinionit të auditorit ka ardhur ai rezultat i angazhimit të madh njëvjeçar”.

Ai shtoi se raporti i vitit 2017 ka pas vërejtje serioze ndërsa tani falë angazhimit të MSh-së, është arritur të sillet një model i mirë para qytetarëve, raporton EO.

“Kemi pasur rast ku janë pezulluar 6 zyrtarë dhe janë filluar procedura ligjore. Ne jemi përkujdesur që kjo politikë të jetë e qëndrueshme dhe kemi nënshkruar udhëzimin administrativ që vendos rregullin që gjithmonë kur të blihen barnat të blihen me çmime referente”.

“Edhe diçka që ka dëmtuar shëndetin publik ka qenë pështyja e angiografitë që raporti i Auditorit ka treguar që ajo është blerë dhe ka mbete në një depo në Austri edhe ose është paguar. Dështimi për të sjellë një pajisje të tillë ka ndikuar në shëndetin e pacientëve tanë dhe pas një angazhimi të madh ajo është sjellë në QKUK”.

“Raporti i vitit 2017 ka pas vërejtje serioze, por me angazhimin tonë ne kemi sjellë një model të mirë. Korrupsioni nuk bën dëm askund më shumë se në shëndetësi”.

Ndërsa shefja e USAID-it, Lisa Magno, tha se Ministria e Shëndetësisë ka bërë përparime të mëdha në adresimin e të gjeturave që kanë dalë nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Magno tha se USAID-i bashkëpunon me komunat e Kosovës dhe inkurajon institucionet tjera për t’i adresuar rekomandimet e Zyrës së Auditorit Kombëtar, raporton Ekonomia Online.

“Përmirësimet drastike në sektorin e shëndetësisë dhe reformat madhore kanë qenë të domosdoshme dhe USAID ka kënaqësinë që të vejë theksin në përparimin e madh që ka bërë ministria e Shëndetësisë”.

“Kjo ministri ka bërë përparime të mëdha në adresimin e përparimeve që kanë dalë nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe në raste të tilla duhet njihet vetëdijesimi për ekzistimin për njohjen e problemeve. Pa vullnet politik nuk mund të bëhet shumë në këtë drejtim”.

“Adresimi i rekomandimeve të zyrës kombëtare të auditimit ka kërkuar një vendosshmëri dhe punë të zellshme dhe shfrytëzoj rastin që t’i uroj ministrit dhe gjithë stafit të tij për ndërmarrjen e masave në këtë drejtim. Nga ZKA thuhet se performanca e ministrisë së Shëndetësisë në ZKA ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm”.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ka thënë se ministria mbetet e përkushtuar që të adresoj edhe rekomandimet e tjera të dala nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

“Ajo që e ka ngritur suksesin tonë ka qenë identifikimi i mangësive në të kaluarën. Koordnimi dhe komunikimi i rregullt në mes të departamenteve brenda institucionit tonë ka sjellë edhe këto rezutlate. Më vjen mirë që është shpaguar puna e madhe një vjeçare e gjithë stafit të Ministrisë së Shëndetësisë”.

“Në bazë të vlerësimit tonë kemi arritur të zbatojmë 20 rekomandime në plotëni, 6 rekomandime pjesërisht dhe 1 rekomandim ka mbetur pa u plotësuar”.


Të ngjashme