Ministria e Shëndetësisë e ka shpërblyer kompaninë “Alb-Architect” me kontratë në vlerë 380 mijë euro për projektimin dhe mbikëqyrjen e punimeve për spitalin Covid në QKUK.
Ministria e Shëndetësisë ka kryer procedurat e tenderimit për “Projektimin dhe Mbikëqyrjen profesionale të projektit të Klinikës Emergjente në QKUK – Adaptimi i objektit për nevoja të Covid 19”.
Me procedurë emergjente MSH ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës, ku bëhet e ditur se fitues është kompania “Alb-Architect”. Kjo kompani është shpërblyer me 380 mijë euro të ndara në dy lote, Lot 1 – Projektimi i Klinikes Emergjente ne QKUK në vlerë 189 992,32 euro dhe Lot 2-Mbikëqyrja e projektit te Klinikes Emergjente ne QKUK në vlerë 189 957,75 euro.
Në dosjen e tenderit thuhet se kjo procedurë është iniciuar në bazë të një vendimi me numër 659/IX/2020 të datës 16.09.2020.
“Kërkohet nga zyra e prokurimit ne MSh, qe të zhvilloj procedurat e Prokurimit për kontraktimin e një kompanie profesionale për ofrimin e shërbimeve te projektimit dhe mbikëqyrjes profesionale për projektin: ‘Adaptimin e hapësirave të veçanta për menaxhim klinik të rasteve me COVID 19’. Projekti parasheh ofrimin e shërbimeve te projektimit dhe mbikëqyrjes profesionale për adaptim te objektit ekzistues te Klinikes se Re të Emergjencës ne QKUK, ne Spital për menaxhim klinik të rasteve me COVID 19”.
“Projekti është i një rëndësie te veçantë, me vlerë të larte investive dhe urgjence te larte për funksionalizim te Spitalit Covid-19 (për trajtim klinik te pacientëve me Covid 19) – për nevojat emergjente te Covid-19, andaj projektimi dhe mbikëqyrja duhet te bëhen nga kompania profesionale dhe me përvojë ne projekte spitalore. Bazuar ne arsyet e lartcekura, kërkojmë tenderim emergjent sipas LPP”, thuhet në dosje.
Në Aneks 1 lidhur me specifikimet teknike bëhet e ditur se objekti i ndërtesës së Emergjencës me bodrum, përdhesë dhe gjashtë kate, në tërësi i ka mbi 17 mijë metra katror. E gjithë kjo hapësirë pritet të adaptohet për nevoja të spitalit Covid, ndërsa nga operatori është kërkuar që të merret parasyshë fakti se objekti do t’i rikthehet qëllimit fillestar për shërbimin e mjekësisë emergjente.