MSH-ja thotë se ka ndërmarrë hapa për ardhjen e shpejtë të profesionistëve shëndetësorë nga jashtë

Prishtinë | 27 Tet 2022 | 11:23 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se është duke ndërmarrë hapa për ardhjen e shpejtë të profesionistëve shëndetësorë nga jashtë vendit. Kështu ka bërë të ditur në takimin e katërt të Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi.

Sipas një komunikate dërguar mediave bëhet e ditur se gjatë këtij takimi janë evidentuar rezultatet e para të punës së Komisionit, si dhe të angazhimit të shtuar të anëtarëve të tij.

Siç njoftohet, Kurti ka përmendur dy udhëzimet administrative që janë miratuar që nga themelimi i Komisionit. Udhëzimi i parë, për licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj, që synon të lehtësojë ardhjen e profesionistëve shëndetësorë të mërgatës dhe të huaj, për të plotësuar ofrimin e shërbimeve që mungojnë ose rrezikojnë të mos ofrohen në institucionet publike shëndetësore. Ndërsa, udhëzimi i dytë, për thjeshtimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale, që nuk kanë paralele të autorizuara në Kosovë, do të sigurojë që barnat pa garanci të cilësisë nuk do të mund të futen në konkurrencë për tenderë të shpallur nga institucione publike shëndetësore.

Lidhur me udhëzimin e parë, ushtruesja e detyrës së ministres së Mistrisë së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, ka folur për hapat e ndërmarrë për të siguruar ardhjen sa më të shpejtë të profesionistëve shëndetësorë nga jashtë vendit.

“Menjëherë pas hyrjes në fuqi të udhëzimit, Ministria e Shëndetësisë ka emëruar Bordin për licencimin e profesionistëve të huaj, i cili ka hartuar dhe miratuar një rregullore të re të punës. Po ashtu, Ministria, në bashkëpunim me Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar, ka nisur përpilimin e nevojave specifike të institucioneve publike. Falë këtyre veprimeve të shpejta, pritet që gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm të vijnë profesionistët e parë nga mërgata dhe ata të huaj në kuadër të kësaj iniciative”, thuhet në njoftim.

Duke folur për një prioritet tjetër të identifikuara nga Komisioni, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, theksoi masat e ndërmarra drejt përmirësimit të shërbimeve për qytetarët e Kosovës. Me këtë qëllim, gjatë javëve në vijim, Ministria e Shëndetësisë dhe Inspektorati Shëndetësor do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë, duke shtuar inspektimet në institucionet shëndetësore.

“Gjatë takimit, Kryeministri Kurti theksoi se hapat e ndërmarrë deri tani, përbëjnë vetëm një pjesë në rrugëtimin drejt reformave të thella në sektorin e shëndetësisë. Ai po ashtu shfrytëzoi rastin për të falënderuar ish ministrin, dr. Rifat Latifi, për shërbimin gjatë 10 muajve në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe ushtruesen e detyrës së ministrit, dr. Dafina Gexha Bunjaku, për gatishmërinë e saj për të udhëhequr këtë dikaster të rëndësishëm”, thuhet tutje në njoftim.

Të ngjashme