MSh reagon ndaj lajmit “për humbjen e grantit 7 milionësh të BE-së”: Vaksinat u siguruan nga mekanizma tjerë

Prishtinë | 25 Nën 2024 | 10:53 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar reagim ndaj një lajmi të publikuar nga Albanian Post, titulluar “Urgjentisht të nisin hetimet për humbjen e grantit 7 milionësh të BE-së nga MSH-ja”.

Në lidhje me këtë, MSh ka dashur të sqarojë disa detaje, ku mes tjerash shkruhet se para përfitimit të grantit të BE-së, Kosova, me qëllim të sigurimit të vaksinave, ka lidhur marrëveshje me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për përballimin e pandemisë dhe sigurimin e vaksinave në vlerë prej 25 milionë euro.

“Paralelisht me sigurimin e mjeteve për përballimin e pandemisë dhe sigurimin e vaksinave, Ministria është bërë përfituese e vaksinave nga mekanizmi COVAX, i cili ka ofruar vaksina falas për Kosovën”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Shëndetësisë reagon ndaj lajmit të publikuar nga Albanian Post, me titullin: “Urgjentisht të nisin hetimet për humbjen e grantit 7 milionësh të BE-së nga MSH-ja”.

Në lidhje me këtë, Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sqarojë disa detaje dhe të informojë opinionin publik mbi procesin e administrimit të grantit të Bashkimit Evropian për vaksina, U4Health: Contribution to the availability and access to vaccines against COVID-19.

Njoftojmë opinionin publik se granti i BE-së për vaksina “U4Health: Contribution to the availability and access to vaccines against COVID-19” është ofruar për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në mars të vitit 2021 nga Komisioni Evropian.

Përfitues i këtij granti ishte edhe Kosova, e cila ka përfituar një grant në vlerë prej 7 milionë eurosh. Mirëpo, mundësia e shfrytëzimit të mjeteve për vaksina është ofruar në gusht të vitit 2021. Para përfitimit të grantit të BE-së, Kosova, me qëllim të sigurimit të vaksinave, ka lidhur marrëveshje me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për përballimin e pandemisë dhe sigurimin e vaksinave në vlerë prej 25 milionë euro.

Gjatë negocimit të marrëveshjes me Pfizer, në prill të vitit 2021, si kriter për të siguruar kontratë për furnizim me vaksina ka qenë edhe burimi i financimit. Ministria ka përcaktuar kredinë me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës si burim financimi.

Paralelisht me sigurimin e mjeteve për përballimin e pandemisë dhe sigurimin e vaksinave, Ministria është bërë përfituese e vaksinave nga mekanizmi COVAX, i cili ka ofruar vaksina falas për Kosovën.

Nga granti i BE-së U4Health: Contribution to the availability and access to vaccines against COVID-19, Ministria ka shpenzuar 1,636,934.99 euro. Këto mjete janë shpenzuar për blerjen e vaksinave dhe anëtarësimin në platformën EU Green Certificate, me qëllim që qytetarët e Republikës së Kosovës të udhëtojnë duke u njohur me certifikatën digjitale të vaksinimit. Komisioni Evropian ka lejuar anëtarësimin e Kosovës në këtë platformë digjitale.

Në situatën kur Ministria ka siguruar numrin më të madh të vaksinave nga mekanizmi COVAX, ka rezultuar në pamundësi të shfrytëzimit të mjeteve nga granti i BE-së, pasi që qëllimi i marrëveshjes ka qenë vetëm për vaksinim dhe mjetet nuk kanë mundur të shfrytëzohen për qëllime të tjera.

Me qëllim të shfrytëzimit të këtyre mjeteve, Ministria ka kërkuar nga BE shtyrjen e afatit të grantit që është miratuar. Edhe përkundër shtyrjes së afatit, mjetet nuk janë shfrytëzuar, pasi që vaksinat kanë qenë të siguruara nga COVAX. Prandaj, Ministria ka shprehur interesim për ri-destinimin e mjeteve për qëllime të tjera, por kjo nuk është aprovuar dhe, si rrjedhojë, mjetet e mbetura në vlerë prej 5.3 milionë euro janë kthyer te Komisioni Evropian, sipas procedurave të përcaktuara me marrëveshje.

Po ashtu, informojmë publikun se zbatimi i kësaj marrëveshjeje është audituar edhe nga Komisioni Evropian dhe nuk ka asnjë të gjetur në zbatim të marrëveshjes. Ministria posedon raportin e auditimit.

Të ngjashme