Derisa në vendet e rajonit e në Evropë situata me COVID-19 është duke u përkeqësuar, situata me pandeminë në Kosovë është e qetë tash e disa javë.
Ende nuk ka asnjë rast të konfirmuar me variantin më të ri të COVID-19 të quajtur Omicron, por nëse nuk respektohen masat antiCOVID-19 dhe nëse vaksinimi nuk bëhet në ritëm të lartë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë situata mund të përkeqësohet.
Në një përgjigje për Telegrafin nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se po bëjnë thirrje të vazhdueshme për vaksinim në mënyrë që situata të mos përkeqësohet.
“Për mostra kur të kthehen, informon IKSHPK. Në mostrat e deritanishme nuk ka pasur raste te variantit Omicron, kur të kthehen të tjerat do ta shohim. MSh dhe IKSHPK po analizojnë në vazhdimësi situatën me COVID-19, me qëllim që ajo të mos përkeqësohet. Për këtë qëllim po bëhet edhe thirrje për vaksinim të popullatës dhe janë në fuqi edhe masat që kanë për qëllim kufizimin e përhapjes së COVID-19”, thuhet në përgjigje.
Po ashtu, nga MSH-ja kanë thënë se situata mund të përkeqësohet nëse masat e marra nga Qeveria e Kosovës me rekomandim të profesionistëve shëndetësore nuk respektohen.
“Kujdesi duhet të jete maksimal, sepse përkundër që Kosova ka situatën për momentin të qetë, ajo mund të përkeqësohet nëse masat nuk zbatohen dhe vaksinimi nuk vijon në ritëm më të lartë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Ndryshe, deri më tani në Kosovë janë administruar mbi 1.6 milionë vaksina antiCOVID-19.
Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, deri më tani me dozën e tretë janë vaksinuar rreth 1 mijë e 300, ndërkaq me dozën përforcuese janë vaksinuar rreth 1 mijë e 600 persona.
Ndryshe, vetëm brenda një ditë, Policia e Kosovës shqiptoi 331 gjoba ndaj qytetarëve të cilët nuk i respektuan masat antiCOVID-19.
Masat antiCOVID-19 kanë hyrë në fuqi nga 6 dhjetor.
Në kuadër të masave, të gjithë personat mbi 12-vjeç duhet që t’i ofrojnë dëshmitë e vaksinimit me dy dozat për udhëtim me mjetet e transportit publik dhe atij privat, si dhe hyrje në qendrat tregtare dhe lokalet e gastronomisë. Nga 3 janari dëshmitë e vaksinimit të plotë do t’u kërkohen të gjithë udhëtarëve që hyjnë në Kosovë.
Mbajtja e maskës vazhdojnë të jetë e detyrueshme. Sipas masave, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë në fuqi nga mesnata deri në orën 05:00.
Orari i gastronomisë vazhdon të jetë i njëjti. Këtij sektori i lejohet të punojë deri në ora 23:00, ndërsa muzika i ndalohet pas orës 21:30. Klubet e natës dhe organizimi i ahengjeve vazhdon të jetë i ndaluar.