Kompania M&Sillosi ka hapur pikat e pranimit për grumbullimin e misrit, duke u ofruar fermerëve mundësi për dorëzimin e prodhimit në mënyrë të organizuar dhe të sigurt.
Pas një sezoni të suksesshëm me grurin, tash fermerët kanë derën e hapur edhe për një tjetër kulturë bujqësore.
Menaxheri i laboratorit, Blend Broqi, ka treguar se pranimi do të realizohet në dy pika.
“Në mbështetjen e prodhimit vendor, M&Sillosi nga sot bën thirrje për të gjithë fermerët që kultivojnë kulturën e misrit që ta dorëzojnë në kompaninë tonë. Pranimi do të realizohet në dy pika, pika e grumbullimit të misrit në Lipjan, tek Agro Center dhe tek kompania jonë në Xërxë”, tha Broqi për Klan Kosova.
Ai shtoi se tashmë siguria e prodhimit është shtuar edhe më. Kjo për shkak të investimeve që u realizuan nga kompania.
“Me investimet e fundit që kompania jonë ka bërë në impiantin e ri të tharjes së misrit, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë me pranimin e misrit në kushte të kontrolluara. Nga sot e tutje misri që do të pranohet në kompaninë tonë do të kontrollohet fillimisht për lagështinë. Pastaj do të vendoset në tharje, ne impiant dhe më pastaj do të kontrollohet dhe monitorohet gjatë gjithë procesit të dorëzimit dhe deponimit të tij”.
“Farmisa” në kuadër të kryehambarit “M&Sillosi” synon që përmes këtij procesi të siguroj ruajtjen dhe grumbullimin e misrit profesionalisht.
Kapaciteti i pranimit për këtë sezon do të shkoj deri në 15 mijë tonë.