Murati: Komuniteti shqiptar urë lidhëse në mes Kosovës dhe Zvicrës

Prishtinë | 15 Kor 2016 | 11:29 | Nga

Ministri i Diasporës, Valon Murati, Gjatë vizitës në Zvicër, ministri Murati, i shoqëruar nga konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Gjenevë, Ramadan Avdiu, zhvilloi takime zyrtare me udhëheqësit e departamenteve të arsimit për kantonin e Friburgut, Jean –Pierre Siggen, dhe të Gjenevës, Anne Emery-Torracinta.

Në të dyja takimet, ministri Murati shpalosi punën që po bëhet nga Qeveria e Kosovës për ta ndihmuar mësimin shqip në diasporë dhe, njëkohësisht, shtroi nevojën që komuniteti shqiptar në këto dy kantone të vazhdojë të ndihmohet nga qeveria kantonale.

Ministri Murati theksoi se politikat e kantonit të Gjenevës, i cili edhe e financon mësimin plotësues, janë jashtëzakonisht të favorshme dhe falënderoi udhëheqjen kantonale për trajtimin e tillë të këtij projekti.

Po ashtu, në këto takime u bisedua për bashkërendimin e përpjekjeve mes dy shteteve për ta rritur numrin e nxënësve në shkollën shqipe, edhe për shkak se, ashtu siç e theksuan edhe udhëheqësit e departamentit të arsimit të të dy kantoneve, të gjitha hulumtimet shkencore dhe pedagogjike vërtetojnë se fëmijët që e mësojnë mirë gjuhën e nënës, i mësojnë më mirë edhe gjuhët e tjera.

Ishte përfundim i përbashkët që komuniteti shqiptar çdo herë e më shumë po integrohet në Zvicër dhe po shndërrohet në urë lidhëse mes dy vendeve. Gjithashtu, u konstatua se mësimi shqip është një metodë e duhur për integrimin e këtij komuniteti dhe se duhet të gjenden format e bashkëpunimit në këtë drejtim.

Delegacioni vizitoi edhe Dhomën e Tregtisë, Industrisë dhe të Shërbimeve Zvicër-Kosovë dhe u prit nga presidenti i dhomës, Stefan Sarkany, me bashkëpunëtorë.

Në këtë takim, nikoqirët ia prezantuan ministrit Murati një sërë projektesh, të cilat mendojnë t’i investojnë në të ardhmen në Kosovë, në fushën e aftësimit profesional, hotelerisë, industrisë së përpunimit të qumështit etj.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme